Identifikohen 31 shkelje nga Komisioni për deportimin e gjashtë shtetasve turq

12:23 | 05 Shkurt 2019

Komisioni për depërtimin e gjashtë shtetasve turq, ka identifikuar 31 shkelje.

Pas shumë muajsh punë e intervistimeve të disa krerëve më të lartë e udhëheqësve të disa institucioneve shtetërore, komisioni parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq ka përfunduar raportin e plotë që zbardh prapavijën e asaj që kishte ndodhur ditën e 29 marsit, kur gjashtë shtetas turq u dëbuan dhunshëm për në Turqi, shkruan Express.

Duke folur para mediave, kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, ka thënë se me këtë dëbim të shtetasve turq është bërë shkelja më e madhe e sovranitetit e që si prapavijë ka pasur një operacion për të cilin ishin mirë të informuar Policia e Kosovës e AKI-ja.

“U bë shkelja më e madhe e sovranitetit nga ata që duhet në mënyrë aktive ta mbrojnë, nga AKI-ja dhe nga Policia e Kosovës. Ata arrestuan gjashtë shtetas turq dhe i dërguan në një shërbim të jashtëligjshëm. Tre muaj pas ngjarjes Kuvendi themeloi komisionin në lidhje me rastin e ndriçimit. Qëllimi është zbulimi se çka ka ndodhë dhe shkeljet dhe procedimi i këtyre shkeljeve për në institucionet relevante”, deklaroi Sveçla.

Deputeti i VV-së tha se Komisioni nga intervistimet ka arritur të kuptojë se si ka ndodhur rasti dhe kush nga udhëheqësit e institucioneve qëndronte prapa organizimit.

“Si ka ndodhur ngjarja, hapat proceduralë:

Më 12 dhe 19 mars, një zyrtar i AKI-së shkon në zyrën për azil. Atë ditë ka ardhur edhe një email zyrtar për këtë temë.

Më 19 mars, AKI-ja thotë se i ka në vëzhgim shtetasit turq.

Më 21 mars, kërkohet revokimi i lejes.

Më 27 mars, kompania ajrore “Birlisik Insaat” kishte kërkuar leje për fluturim me qëllim biznesor me një pasagjer një ardhje dhe një në shkuarje.

28 mars, ndryshohet data dhe qëllimi i fluturimit, atë ditë aprovohet vendimi.

29 mars, ish-drejtori i AKI-së i drejtohet ish-ministrit të Punëve të Brendshme për të revokuar leje të qëndrimit.

29 mars, Drejtoria për migrim të huaj nxjerr gjashtë urdhra për largim me forcë. Atë ditë takim kanë pasur drejtuesit lidhur me organizimin e operacionit.

Më 29 mars, grupi i parë i policisë fillon aksionin. Aksioni përfundon me nisjen e aeroplanit në orën 10:50.

Më 31 mars kërkohet nisja e hetimeve”.

Sipas gjetjeve të Komisionit, në çdo fazë ka pasur shkelje, që nga revokimi i lejeve e deri te largimi, e gjithsej numri i shkeljeve ka arritur në 31.

“Komisioni ka gjetur shkelje në çdo fazë që nga revokimi i lejeve deri te largimi. Ka 31 shkelje”, shtoi ai.

Ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi, kishte kërkuar revokim të lejes duke thënë se bëhej fjalë për terroristë, gjë të cilën e ka mohuar gjatë intervistimin.

“Edhe vetë kryeministri e ka cilësuar si shkelje pse janë dëbuar me kaq ngutje. Nuk ka qenë aksidentale po ka qenë në koordinim të plotë të institucioneve. Një zyrtar i lartë i Policisë ka pranuar se e kishte ditur se nuk ekzistonte urdhër i ligjshëm po me dijeninë dhe me insistimin e dy zyrtarëve të AKI-së janë dëbuar jashtëligjshëm”, tha Sveçla.

Madje, sipas tij, deklaratat e dyshimta e kundërthënëse ishin mes Gashit e Maxhunit, pasi që Shpend Maxhuni ka mohuar se ka pasur ndonjë dijeni për këtë operacion.

“Shpend Maxhuni dhe Driton Gashi kanë dhënë dëshmi kundërthënëse se a e kishte ditur z. Maxhuni për operacionin apo jo. Kjo do të thotë se njëri prej tyre ka paraqitur dëshmi të rrejshme. Në listën e shkeljeve ne kemi 31 shkelje të cilat do t’u shpërndahen si prokurorisë, po ashtu, edhe të gjitha palëve të interesuara”, përfundoi ai.

Komento: