Ilaçi që mbron veshkën e transplantuar nuk gjendet në asnjë barnatore në Kosovë

19:50 | 19 Tetor 2023
ilaci-qe-mbron-veshken-e-transplantuar-nuk-gjendet-ne-asnje-barnatore-ne-kosove

Medikamenti, i cili është jetik për personat që transplantuan veshkat, palcën kurrizore apo ndonjë organ tjetër, zor që gjendet në ndonjë barnatore në Kosovë.

Kjo për faktin se ky medikament, i quajtur Ciclosporina generis, gjendet në listën e barnave esenciale, që sigurohen nga shteti.

Përveç mungesës së tij në institucionet publike, Kiks Kosova nuk ka arritur ta gjejë as në ato private.

Ekipi i Kiks Kosovës, i infiltruar si pacient që ka nevojë për këtë medikament, nis kërkimet në barnatoret e kryeqytetit. Dhe pavarësisht përpjekjeve, kërkimet na dolën të sakta apo thënë shkurt ashtu siç na rrëfyen pacientët – asnjë nga barnatoret nuk e patën në stok ciclosporinen.

Në një barnatore tjetër, edhe pse nuk kishte ilaç të tillë në depon e saj, megjithatë si duket ka shpresa që dikur do të pajisen me të.

Jo vetëm që nuk e kishin në raftet e tyre produktin në atë moment, por në fakt disa barnatore asnjëherë nuk e kanë pasur.

Disa pacientë që përdorin këtë medikament i kanë rrëfyer Kiks Kosovës se gjatë këtyre 5 muajve qëkur shteti nuk u dha medikamentin e nevojshëm, kanë udhëtuar për në Shkup, ku në mënyrë të fshehtë, kanë blerë këtë medikament.

Asnjëri nga ta nuk ka pranuar të flasë për Kiksin, duke thënë se i frikësohen revanshimit që mund t’u vijë nga institucionet shtetërore, përgjegjëse për sigurimin e medikamenteve që paguhen nga paratë e tatimpaguesve të Kosovës. /Klankosova.tv

Komento: