Inatet politike në Kuvend “varfërojnë” qytetarët me minus 350 milionë euro

18:37 | 12 Tetor 2023
inatet-politike-ne-kuvend-“varferojne”-qytetaret-me-minus-350-milione-euro

Mirëqenia e qytetarëve të Kosovës po e pëson nga inatet politike në Kuvend, ku nuk po kalojnë së paku shtatë marrëveshje ndërkombëtare.

Si pasojë, Kosova nuk po mund t`i gëzojë mbi 350 milionë euro që do të ndikonin në jetesën e qytetarit të saj.

Pushteti dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën.

AAK thotë se nuk kanë votë për ujditë ndërkombëtare, të cilat kërkojnë miratimin e 2/3 të Kuvendit, pa u përmirësuar Qeveria.

“Mendoj se të gjitha këto sjellje jo të mira mos t’i quaj “rebele” të kryeministrit, na kanë sjellë në këtë situatë dhe derisa ai ka nevojë për opozitën, atëherë duhet të dominojë arsyeja dhe të përfillen kërkesat e opozitës”, thotë Pal Lekaj, nënkryetar i AAK-së.

PDK kërkon zgjedhje të reja.

Kurse nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka 16 deputetë në Kuvend, thonë se nuk pajtohen me shumë veprime të Qeverisë, por sa u përket marrëveshjeve ndërkombëtare i votojnë ato.

“Për PDK e AAK nuk kam çka flas. LDK asnjëherë nuk e ka bojkotuar Kuvendin e as marrëveshjet ndërkombëtare”, u shpreh deputetja e këtij subjekti Valentina Bunjaku për “Front Online”.

E pyetur nëse po e pëson qytetari nga ngërçi i krijuar në Kuvend, ajo pati këtë përgjigje.

“Kur ne kemi qenë në opozitë LVV i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare veç kur kanë ra qeveritë, vlerësimi i qytetarëve duhet me qenë korrekt”, vazhdoi tutje Bunjaku.

Në anën tjetër, një ‘selam’, për krejt këto e patën nga pushteti.

“Po bllokohen 350 milionë euro pa pikë nevoje. Këto para janë të qytetarit. Nuk janë të asnjë parti politike”, theksoi Ekrem Mustafa, deputet i grupit parlamentar të VV-së, partisë që ka shumicën në Kuvend.

Nga viti 2021 kur është formuar, përbërja aktuale parlamentare ka miratuar 45 marrëveshje ndërkombëtare në fusha të ndryshme, thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Kritikat e opozitës ndaj pushtetit janë shpeshtuar kohëve të fundit, qoftë për menaxhimin e krizave në veri apo për qasjen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Komento: