Incident në Jarinje, polici i Kosovës sulmohet fizikisht nga një shtetas serb

22:20 | 07 Prill 2023

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një serb, i cili kishte ardhur pa dokumentacione dhe po tentonte të hynte në Kosovë. I njëjti sulmoi fizikisht një pjesëtar të Policisë.

Sipas njoftimit, personi me iniciale N.T., fillimisht ka fyer e më pas ka sulmuar zyrtarin policor pasi ata kërkuan që të nënshkruajë dokumentin për refuzim të hyrjes në Kosovë.

Mirëpo, i dyshuari, i nacionalitetit serb, ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin dhe më pas ka sulmuar fizikisht policin duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinje, sot më 07.04.2023, rreth orës 16:30, në hyrje për në Republikën e Kosovës, ka ardhur një shtetas i Serbisë, i cili nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm për të hyrë në Republikën e Kosovës. Pas refuzimit për hyrjes në vendin tonë, i dyshuari N.T., (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyej zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar. Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti “sulm ndaj personit zyrtar”.

Komento: