Infektohet me koronavirus edhe një futbollist i Serie A

19:58 | 14 Mars 2020

Infektohet me koronavirus edhe futbollisti i 11-të i Serisë A

Bartosz Bereszynski e ka konfirmuar në llogarinë e tij në Instagram se është infektuar me koronavirus, duke u bërë kështu lojtari i shtatë i Sampdorias i infektuar dhe i 11-ti gjithsej në Serie A. Edhe bashkëlojtari i tij Fabio Depaoli e konfirmoi po të njëjtën gjë sot në Instagram.

Sampdoria e ka lëshuar një deklaratë në faqen zyrtare duke thënë se nuk do të lajmërojë më për lojtarët e infektuar me koronavirus, për të mos i shqetësuar edhe më shumë tifozët, pasi pesë lojtarë të klubit testuan pozitiv brenda 48 orëve, transmeton Express.

Megjithatë, Fabio Depaoli dhe tani mbrojtësi Bartosz-Bereszynski e kanë konfirmuar në llogaritë e tyre në Instagram për ta konfirmuar se janë infektuar me virusin Covid-19.

“Fatkeqësisht, unë kam dalë pozitiv në testin për COVID-10”, shkroi në Instagram futbollisti polak.
“Unë ndihem mirë. Përkundër që i kisha marrë masat parandaluese gjatë ditëve të fundit, unë prapëseprapë nuk arrita ta shmang këtë virus. Për këtë arsye po ju kërkoj të jeni të përgjegjshëm dhe të qëndroni në shtëpi kurdo që keni mundësi”.

Manolo Gabbiadini ishte lojtari i parë i Sampdorias që doli pozitiv për koronavirus, ndërsa menjëherë pas tij të njëjtin fat e patën edhe Omar Colley, Albin Ekdal, Antonino La Gumina dhe Morten Thorsby.
Lojtarët e tjerë të Serisë A që dihet se janë prekur nga koronavirusi deri më tani janë: mbrojtësi i Juventusit Daniele Rugani dhe tre lojtarët e Fiorentinës, Dusan Vlahovic, German Pezzella dhe Patrick Cutrone.

Komento: