Një influencere 23-vjeçare meksikane e rrjeteve sociale është qëlluar për vdekje përderisa ishte në transmetim të drejtpërdrejtë në “TikTok”, ka thënë zyra e prokurorit shtetëror.
Paralajmërim: Videoja e mëposhtme përmban pamje dhune të vrasjes. Nuk rekomandohet për fëmijë dhe persona të ndjeshëm. (18+)
Valeria Marquez u vra, kur një burrë hyri në sallonin e saj të bukurisë në qytetin Guadalajara dhe “mësa duket shkrepi një pushkë në drejtim të saj”, sipas zyrës së prokurorit në Jalisco, raporton televizioni BBC.
Motivi për sulmin fatal nuk është identifikuar, por rasti është duke u hetuar si femicid – kur gratë dhe vajzat vriten për shkak të gjinisë së tyre – tha prokurori shtetëror.
Dhuna me bazë gjinore është shumë e përhapur në Meksikë, ku Kombet e Bashkuara raportojnë se 10 gra ose vajza vriten për çdo ditë nga partnerët ose anëtarët e familjes.
Disa momente para vdekjes, Marquez ishte ulur në një tavolinë duke mbajtur një lodër në formë të kafshës në sallonin e saj të bukurisë në Zapopan e duke bërë transmetim të drejtpërdrejtë.
Disa sekonda më vonë, ajo qëllohet për vdekje. Transmetimi ndërpritet vetëm kur një person tjetër e kap telefonin e saj dhe e ndal incizimin.
Mediat lokale raportuan se ajo u vra nga një burrë që po pretendonte se po i sillte një dhuratë.
Policia arriti në vendin e ngjarjes rreth orës 18 e 30 minuta sipas kohës lokale dhe e konfirmoi vdekjen e influenceres, sipas prokurorit shtetëror. Zyra e prokurorit nuk publikoi ndonjë emër të personit të dyshuar.
Kryetari i qytetit Zapopan, Juan Jose Frangie, tha se zyra e tij nuk kishte ndonjë të dhënë se influencerja kishte kërkuar ndihmë nga autoritetet për shkak të kërcënimeve ndaj saj, duke shtuar se “femicidi është gjëja më e keqe”, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Prokurori shtetëror tha se ekspertë të forenzikës janë duke e hetuar sulmin.
Paralajmërim: Pamje të rënda!