
Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës nuk ka asnjë vend të lirë për pacientë, ku aktualisht janë 24 raste në trajtim të detyrueshëm psikiatrik.
Instituti në fjalë është institucion ku trajtohen të gjithë ata persona që kanë kryer vepër penale, por që kanë një problem të çrregullimit mendor.
Të dhënat i bëri të ditura për Front Online, Shpend S.Haxhibeqiri, drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.
“Pra 100 % është shfrytëzimi i kapaciteteve tona, prej të cilëve 5 pacientë janë për vrasje, 2 për tentim vrasje , 7 për dhunë në familje dhe 10 tjerë për vjedhje të rëndë, kanosje, asgjësim pasurie, posedim të narkotikëve”, ka thënë Haxhibeqiri për Front Online.
Ai thotë se gjatë vitit 2024 janë bërë 13 pranime të reja.
“Duhet qartësuar se disa nga këta pacientë nëpër këto reparte janë tek ne që 8 vite, 5 vite dhe me kohëzgjatje më të vogël, e minimum i qëndrimit në IPFK është 6 muaj”, ka bërë të ditur ai.
Haxhibeqiri thotë se reparti për trajtim e vlerësim të paraburgosurëve ka 12 shtretër dhe deri më tani ka qenë duke u renovuar.
Haxhibeqiri ka treguar për Front Online për kategoritë e personave që trajtohen nëpër reparte.
“Adaptim në repart dhe me pacientët të tjerë, krizat mendore , agresivitet të lartë, mungesa e familjes, mospajtueshmeria me faktin e veprës së kryer, refuzimi i terapisë, mos kujdesi për higjenën personale. Mos përkrahja e familjes si pasojë e veprës së kryer brenda familjes”.
Tek Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës 8 pacientë janë në pritje për trajtim të detyrueshëm me ndalim, përderisa 147 pacientë janë trajtuar dhe vlerësuar, prej të cilëve 13 janë me trajtim.
“Nga dy rastet e fundit që kanë ndodhur ndaj vrasjeve të grave për momentin njëri prej tyre është në fazën e përgatitjes për vlerësim”, pohoi Haxhibeqiri.
Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës është hapur zyrtarisht në vitin 2014, një institucion simotër me atë të Zagrebit, që është i pari në rajon./Front Online/