Dikur, në moshën e martesës, njerëzit bënin këtë pyetje për bashkëshortin kandidat: Sa shkollë ka? Përgjithësisht njerëzit kishin arsim fillor, ca më pak arsim të mesëm, e shumë pak të lartë. Vetë koha ishte e tillë. Pra, të kishe arsim të mesëm ishe më mirë se sa ai me fillore, por shumë pak në krahasim me arsimin e lartë.
Në vijim të Triptikut, do të flasim për figurën e intelektualit. Duhej të ishte figura qendrore e shoqërisë sonë. Ai, dhe jo politikani. Nëse do të jepnim një përcaktim të parë për të, ky do të ishte: intelektuali shqiptar është me “shkollë të mesme”, duke kujtuar përkufizimin e mësipërm të shkollës së mesme. Intelektuali shqiptar nuk arrin të bëhet intelektual i lartë, prandaj ka mbetur si ata teknikët e mesëm apo të shkolluarit e dikurshëm me të mesme. Intelektuali shqiptar nuk është i plotë.
Por, le të bëjmë disa përvijime se çfarë është intelektuali. Jo se nuk ka dijeni për këtë, por gjithmonë duhet të konturojmë caqet e shkrimit, për të përmbledhur një mendim në pak rreshta. Intelektuali nuk është vetëm ai që ka shkollë të lartë. Intelektuali nuk është vetëm ai që ka dije. Intelektuali nuk është vetëm ai që ka moral (publik). Intelektuali nuk është vetëm ai që ka guxim. Intelektuali nuk është ai që flet vetëm me veprën e vet. Intelektuali duhet të flasë kur duhet e si duhet. Intelektuali duhet të jetë qytetar, jo thjesht intelekt. Ai duhet ta zbresë intelektin te njerëzit dhe të mos presë që njerëzit të ngrihen deri tek ai. Duhet të jetë intelektuali që t’ua zgjasë dorën njerëzve dhe të mos presë që njerëzit t’i hidhen në qafë.
Por, dhe këto nuk mjaftojnë. Intelektuali duhet të jetë njeri i sakrificës. Intelektuali duhet të jetë i papolitizuar. Intelektuali duhet të shikojë larg dhe jo vetëm hundën e vet. Intelektuali duhet të jetë si ato infermieret që të bëjnë gjilpërën dhe ti nuk e ndien. Intelektuali nuk është thjesht një njeri me kopaçe në dorë, që e vërtit sa majtas djathtas duke shkumuar. Intelektuali duhet të pranojë edhe intelektin e të tjerëve.
Mund të vijonim pa fund të jepnim cilësorë për intelektualin, por nuk duhet të harrojmë se është një njeri, prej mishi e gjaku, me nerva dhe halle si të gjithë njerëzit e tjerë. Nuk po kërkojmë nga intelektuali të sakrifikojë vetveten, por thjesht të mos sakrifikojë të tjerët për veten. Intelektuali më shumë se sa çdo gjë tjetër, duhet të jetë shtyllë kurrizore. Intelektuali, gjithashtu, duhet të ketë dhe një dimension të domosdoshëm: mbarëshqiptarinë. E kërkon koha këtë të fundit.
Por, te ne gjejmë disa nga dimensionet e intelektualit, por jo të gjitha bashkë. Gjejmë dijen, gjejmë veprën, gjejmë angazhimin qytetar, por jo shpeshherë. Gjejmë gjithashtu rreshtimin. Gjejmë dhe tradhtinë. Gjejmë kahen politike. Gjejmë dëshirën për të jetuar mirë dhe kompromisin. Gjejmë fjalën e keqe dhe të rëndë për kolegët. Gjejmë mjegullimin e së vërtetës përmes sofizmave. Gjejmë pretendimin për të qenë mbi gjithkënd.
E mbi të gjitha gjejmë thënien popullore: s’kemi elita, s’kemi intelektualë. E si mund të kemi intelektualë kur ata flasin vetëm për të goditur kundërshtarin e partisë? E si mund të kemi intelektualë kur ata nuk kanë përnderim për pararendësit? E si mund të kemi intelektualë kur populli ka qejf vetëm tallavanë dhe futbollin? E si mund të kemi intelektualë kur veprat e tyre nuk lexohen, nuk shikohen, nuk dëgjohen, nuk çmohen nga publiku. Natyrisht, ky nuk është vetëm faji i publikut.
Po le të marrim paranë kombëtare të shpenzuar për intelektin në këtë vend. Para për kërkimin shkencor nuk ka. Para për botime nuk ka. Para për të vënë në skenë vepra ka shumë pak dhe ato me pikatore ose me biberon politik. Para për të përkujtuar nuk ka. Para për të drejtat e autorëve nuk ka, ose ka, por abuzohen. E si mund të krijohet intelektuali me dimensione të mëdha, kur nuk ka asnjë mundësi financiare për ta kryer këtë. Rubineti është i ngushtë dhe ato pak pika që derdhen, derdhen në gojën e njerëzve të caktuar për të qenë intelektualë. Por nuk mund të mbajë gjatë një gjasë e tillë. Intelektuali nuk është rob i listave, as i emërimeve, as i paracaktimeve, as i trukimeve, as i plagjiaturave.
Njeriu i thjeshtë shqiptar e ndien larg njeriun intelektual, deri në pikën e mosekzistencës. Për këtë nuk ka faj. Media ka zëvendësuar intelektin me lehjen. Duke parë gjithfarë analistësh televizivë, njerëzit e gjejnë më të kollajtë të dashurohen me telenovelat turke dhe indiane. Sa herë që ka ndodhur që ndonjë person ka dashur të komunikojë troç me publikun, publiku e ka mirëpritur.
Intelektuali duhet të jetë i paanshëm, i ftohtë, i kthjellët, i matur, largpamës, por mjedisi ynë i ngushtë shoqëror nuk e lejon zhvillimin e këtyre dimensioneve. Nepotizmi dhe klanizimi janë mbretërit e jetës sonë. Këto sëmundje janë kaq vrastare, saqë rrallëkush mund t’i mbijetojë helmit të tyre. Shto dhe gjithë antishqiptarët dhe armiqtë e kombit, dhe situata bëhet edhe më makabre.
Ndaj themi se intelektuali ka mbetur në nivelin e mesëm. Nëse intelektuali nuk bën hapin drejt lartësisë, do vijojë të jetë pakogjë në këtë klimë. Madje dhe intelektuali i larguar, ai që nuk është më nën këtë trysni, vuan thellë pasojat e gjithë presionit tonë shoqëror antiintelektual. Të gjithë do ta donin intelektualin, por askush nuk e përkrah.
Disa organizime akademike jashtë kornizave janë krijuar. Kjo është një gjë e mirë. Intelektuali s’ka pse të mbetet vetëm. Ndoshta kjo është një barkë shpëtimi për intelektualin: përbashkimi me të ngjashmit.
Po e mbyllim këtu dhe këtë shkrim për intelektualin, duke menduar se kemi pickuar disa tela dhe se të tjerët do të mund ta vijojnë më tej debatin, shumë më mirë e më profesionalisht. Intelektuali mund të ngrihej mbi militantin, për të cilin kemi shkruar. Të gjitha gjasat janë.
P.S. Siç mund ta shihni, shkrimi nuk ka asnjë citat. Jo për mungesë respekti ndaj dijes botërore, por se citimi i të mëdhenjve është kthyer në qëllim në vetvete nga intelektualët. Dhe shpalosja e dijes në gazetë nuk është sport i bukur. Jo për të nënvlerësuar gazetën, por dija ka vendin e vet, dhe shqetësimi ka vendin e vet.