Interi ‘shkatërron’ Shakhtarin, e pret Sevilla në finale

23:24 | 17 Gusht 2020

Interi kualifikohet me spektakël n’finale, e pret Sevilla.

Interi i Antonio Contes e ka shkatërruar Shakhtarin, duke e mposhtur 5-0 për t’u kualifikuar në finale të Europa League.

Në “Merkur Spiel-Arena” të skuadrës së Düsseldorfit, shkëlqyen Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku, duke e mbyllur ndeshjen me nga dy gola.

Ndeshja nisi me gol për zikaltrit, që duket se ishte nata e tyre dhe kishin përgatitur shumë mirë këtë gjysmëfinale pasi objektivi i Antonio Contes dhe djelmoshave të tij, është trofeu i Europa League.

Në minutën e 19’, Lautaro Martinez e kaloi në epërsi Interin, duke shënuar një gol të bukur, me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, në fushë zbriti një Inter tjetër krahasuar me 45 minutat e parë, pasi deri në fund shënuan plot katër gola.

Fillimisht Danilo D’Ambrosio realizoi për 2-0 në minutën e 64’.

10 minuta më vonë, Lautaro Martinez shënoi të dytin personal dhe të tretin për Interin, në minutën e 74’.

Golat e fundit i takuan Romelu Lukakus, që realizoi në minutat 78’ dhe 84’, për rezultatin përfundimtar 5-0.

Interi arrin finalen e madhe tashmë dhe të premten, do të përballet me Sevillën, që ka eliminuar Manchester Unitedin.

Komento: