IPK për incidentin me Lushtakët: S’ka dyshime se policët u përfshinë në vepër penale, ata u sulmuan

15:38 | 11 Korrik 2022

Incidenti me Lushtakët, IPK: S’ka dyshime se policët u përfshinë në vepër penale, ata u sulmuan.

Mbi 900 ankesa kanë dorëzuar qytetarët në Inspektoratin Policor të Kosovës, ndërsa ky institucion gjatë 2021-tës ka rekomanduar suspendimin e mbi 100 policëve dhe mbi 90 janë arrestuar.

Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, në një intervistë për KosovaPress, ka folur edhe për rastin ku dyshohet për sulm ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku ndaj dy zyrtarëve policorë në Skenderaj.

Ai thekson se deri në këtë fazë të hetimeve thuhet se policia ka qenë e sulmuar dhe kanë qenë të detyruar të përdorin forcën.

“Vlerësimi fillestar i prokurorit kujdestar dhe hetuesve ka qenë që në këtë fazë nuk ka dyshime për zyrtarë policor të përfshirë në vepra penale. Dhe në këtë moment që po flasim nuk ka dyshime për zyrtarë policor, atëherë është në kompetencë të Policisë të Kosovës dhe Prokurorisë që të zhvillojë më tutje hetimet. Ne jemi duke përcjellë si rast, në momentin që ka informacione dhe dalin prova që implikojnë zyrtarët policor në shkelje apo në tejkalim të forcës apo përdorim të armëve jashtë rregullave që parasheh Policia e Kosovës, sigurisht që do të kyçemi dhe do të ndërmarrim veprimet e nevojshme hetimore”, thekson Hodaj. Megjithatë, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, shton se tejkalimi i përdorimit të forcës është prej veprave tipike në polici.

“Tejkalimi i përdorimit të forcës apo keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo shkaktimi i lëndimeve ndaj qytetarëve është një prej veprave tipike që ndodhë zakonisht në polici, për shkak se policia është organ i autorizuar të përdor forcën dhe kur kjo tejkalohet atëherë përbën shkelje dhe vepra penale. Sigurisht që shpesh herë është një vijë e hollë që i ndanë përdorimin e forcës bazuar në rregullat që ka policia. Në këtë rast, është raportuar si rast i përdorimit të forcës dhe është duke u hetuar edhe nga komisionet e brendshme të policisë, por edhe ne jemi duke e përcjellë në bashkëpunim me prokurorin përgjegjës që në momentin që identifikohen veprimet të policisë që janë në kundërshtim me rregullat dhe ligjin, sigurisht që do të merren veprime edhe ndaj zyrtarëve të policisë”, shprehet ai.

Katër vjet më parë, Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin e mbi 90 zyrtarëve policor, për të cilët dyshohej se kanë probleme të shëndetit mendor. Ata janë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me status të invalidit të luftës.

Për këtë rast është ngritur kallëzim penal, i cili po trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Ka të bëjë me rastin e invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo invalidëve të luftës që janë pjesë e Policisë së Kosovës. Në atë kohë ka qenë një rekomandim për shkak se ka vlerësuar se gjatë zhvillimeve të hetimeve duhet të suspendohen një pjesë të cilët kanë pasur ndër tjera edhe probleme shëndetësore. Mirëpo, aty ka pasur proces që janë ridërguar në kontrolle dhe shumica prej tyre kanë rezultuar që nuk i kanë ato probleme shëndetësore. Por, ne po ashtu kemi ngritur kallëzim penal për këtë kategori dhe për këtë numër të punonjësve dhe rasti është duke u trajtuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, përfundon Hodaj.

Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit të kaluar ka trajtuar mbi dy mijë ankesa të qytetarëve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Komento: