Isa Mustafa thotë se nuk mori ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e 20 vjetorit të çlirimit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Isa Mustafa thotë se nuk mori ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e 20 vjetorit të çlirimit

14:14 | 13 Qershor 2019

Kosova dje ka shënuar 20 vjetorin e çlirimit dhe hyrjes së NATO-s.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas zërave për mospjesëmarrje të tij në manifestimin e ditës së çlirimit të Kosovës. Ai thotë se askush nuk i ka bërë ftesë.

Mustafa shkruan në Facebook se në këtë ditë kaq të rëndësishme, pjesëmarrja e dikujt nga LDK’ja, si partia më e madhe opozitare në vend, do të ishte e padisktueshme, përkundër problemeve të tij shëndetësore.

Ndërsa Mustafa ndihet krenar që ceremonia u mbajt në sheshin ‘Skënderbeu , vend që thotë e kishte ndërtuar sa kishte qenë kryetar i Prishtinës.

Ja postimi i tij:

Te nderuar qytetarë

Po shoh se është bërë temë mospjesëmarrja ime në ceremoninë e shënimit të njëzetvjetorit të çlirimit të vendit.

Nuk kam marrë pjesë, sepse nuk më ka ardhur ftesë për këtë ceremoni dhe për asnjë aktivitet tjetër.
Nuk mund ta di se si ka vepruar Protokolli i Shtetit, a më ka pasur në listë apo jo, si kryetar të LDK-së, shef të opozitës, partisë më të madhe opozitare sot dhe partisë shtetëformuese gjatë tridhjetë viteve sa ekziston ajo, apo si Kryeministër i qeverisë së kaluar.

Në Selinë e LDK-së, më kanë informuar se kanë ardhur ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve të LDK-së. Tjetër jo.

Nuk ka datë më të rëndësishme për çdonjërin nga ne se ajo e çlirimit të Kosovës. Prandaj pjesëmarrja ime ose e njërit nga nënkryetarët e LDK-së, për arsye të shkaqeve të mia shëndtësore, do të ishte e padiskutueshme. Çlirimi sikurse edhe pavarësia nuk janë pronë e askujt, janë e arritur, mburrje dhe pasuri e çdonjërit nga ne.

Fundja, edhe pse nuk kisha ftesë të marr pjesë në këtë ceremoni, ndjehem krenar se ajo u mbajtë në Sheshin Skënderbeu të qytetit tim, të cilin aq me përkushtim e ndërtuam sa unë dhe LDK drejtonim Prishtinën, dhe pran monumentit të Skënderbeut që, poashtu, e ngritëm pas çlirimit me para të mbledhura nga bashkatdhetarët tanë, kur ishim si qeveri në egzil e LDK-së. Dhe, se në këtë solemnitet ishin miqtë tanë, heronjë të çlirimit të Kosovës. IM’’, ka thënë Mustafa.

Ndërsa zyra e Presidentit ka sqaruar se me ftesat është marrë Protokolli i Shtetit, i cili ka konfirmuar se kanë qenë të ftuar edhe Mustafa e Kurti.

Drejtori i Protokollit të Shtetit në MPJ, Orhan Hajrizi, ka konfirmuar se Isa Mustafa dhe Albin Kurti kanë pasur ftesa zyrtare.

“Po, Protokolli i Shtetit është marrë me tërë organizimin dhe njëkohësisht edhe me ftesat. Me këtë rast e konfirmoj se ftesat janë përgatitur dhe janë dërguar edhe për z. Isa Mustafa në cilësinë e ish-kryeministrit, të cilën korrieri e ka dërguar në selinë e LDK-së dhe ftesa për z. Kurti është dërguar në Kuvend dhe përmes postës së brendshme të Kuvendit, ftesa i është përcjellë në kutinë postare të Lëvizjes Vetëvendosje më 7 qershor”, ka thënë Hajrizi.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!