Ish deputeti i LDK-së: Nonsens që mazhoranca ta bojkotojë Kuvendin – VV inatçore

19:56 | 12 Tetor 2023
ish-deputeti-i-ldk-se:-nonsens-qe-mazhoranca-ta-bojkotoje-kuvendin-–-vv-inatcore

Ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka komentuar veprimet e partisë në pushtet, LVV-së, për mos pjesëmarrje në seancën e Kuvendit, ku do të diskutohej për rezolutën për Policinë e Kosovës.

Ai  thotë se legjislatura aktuale është ndër më të dobëtat dhe më të papërgjegjshmet dhe se kjo është lojë ping-pongu mes pozitës e opozitës.

“Kjo legjislaturë është ndër legjislaturat më të papërgjegjshme dhe më e dobëta në historinë parlamentare të Kosovës. Kjo lojë ping-pongu me çështje kaq serioze si nga mazhoranca e po ashtu nga opozita”, thotë ai.

Sipas Rugovës, mazhoranca është inatçore dhe bojkotimi i seancës sot është nonsens dhe papjekuri politike.

“Marrëveshjet ndërkombëtare janë interes i shtetit dhe popullit të Kosovës, vetëm kjo legjislaturë po bën lojëra të tilla me interes nacional dhe shtetëror. Kemi një mazhorancë inatçore, tejet të papërgjegjshme. Paramendoni mazhoranca bojkoton punën e kuvendit. Kjo është nonsens, papërgjegjësi dhe papjekuri e skajshme politike dhe mungesë emancipimi politik”, vlerëson ish deputeti i LDK-së për Gazeta Blic.

Rugova e quan mazhorancën populiste, pa ide e pa veprime konkrete, derisa thur lavde për policinë, ndërsa nuk ia plotëson kushtet.

Sipas tij, kushtëzimet e tilla të VV-së tregojnë mendësi qeverisëse shkurtpamëse, mungesë ideve dhe planifikimeve strategjike e financiare për policinë.

“Ti ikësh dhe ta bojkotosh një seancë ku do të miratohej një rezolutë për përmirësimin e kushteve të punës së policisë së shtetit, e në anën tjetër ju thurin lavde, kjo flet për një mazhorancë populiste, pa ide dhe pa veprime konkrete në favor të përmirësimit të kushteve të punës dhe pagesës shtesë të rrezikshmërisë së policëve tanë të cilët po humbin jetën në detyrë shtetërore. Këto kushtëzime të mazhorancës tregojnë mendësi qeverisëse shkurtpamëse, mungesë ideve dhe planifikimeve strategjike por edhe financiare për policinë e shtetit, si garantuese e ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike”, deklaron Naser Rugova

Komento: