Ish-deputetja Maliqi-Zunçe: Nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë, moment i veçantë e historik

13:03 | 17 Shkurt 2024
ish-deputetja-maliqi-zunce:-nenshkrimi-i-deklarates-se-pavaresise,-moment-i-vecante-e-historik


Ish- deputetja nga radhët e LDK-së, nënshkruesja e Deklaratës së Pavarësisë, Drita Maliqi-Zunçe është deklaruar për Front Online lidhur me datën historike të shtetit të Kosovës, 17 Shkurtin.

Maliqi-Zunçe ka thënë se në ditën e Pavarësisë së Kosovës, kishte emocione të veçanta, duke shtuar se edhe gjyshi i saj ishe nënshkrues në lidhjen e dytë të Prizrenit.

“Unë jam nënshkruese e Deklaratë së Pavarësisë së Kosovës, por nënshkrues ka qenë edhe gjyshi im Sherif Maliqi Malisheva, në lidhjen e dytë të Prizrenit. Kjo për mua është kujtimi më i mirë që kam”, ka thënë Maliqi-Zunçe.

Ajo ka treguar se atë ditë gjithçka kishte shkuar sipas planit.

“Dita e 17 Shkurtit të 2008-së ka shkuar ashtu siç e kemi përgatitur. Këtë ngjarje të madhe për Kosovën e kam në mendje si një nga ngjarjet më të veçanta. I veçantë ishte edhe momenti kur e kam marr lapsin ta nënshkruaj deklaratën”, është shprehur ish deputetja në Kuvendin e Kosovës, Drita Maliqi-Zunçe.

Maliqi-Zunçe ka përmendur edhe ish-krerët e UÇK-së, e cila ka thënë se i vjen keq  që nuk janë në mesin tonë në ditët si kjo.

“Për festën e Pavarësisë më vjen keq, jo vetëm për ata që janë në Hagë, por edhe për ish- luftëtarët që kanë dhënë jetën në vija të frontit e që nuk janë më në mesin tone”, ka rrëfyer ajo.

Sipas saj, Kosova po ecën në hapa të ngadalshëm, teksa shton se në demokraci është mirë të ndërrohen pushtetet.

“Shteti i Kosovës ka arritur Pavarësinë por po ecë në hapa shumë të ngadalshëm. Është shumë mirë që është në pushtet kjo Qeveri, sepse në demokraci duhet të ndërrohen pushtetarët. Dhe në fund, dua të them se nuk jam e kënaqur ngase pas gjithë vuajtjeve shekullore, ende nuk e kemi arritur amanetin e të parëve tanë”, ka deklaruar Maliqi-Zunçe.

Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta. Të pranishëm në seancë ishin 109 deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa të parët që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë ishin, ish presidenti Fatmir Sejdiu, ish kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe ish kryeministri i vendit, Hashim Thaçi./Front Online/

 

Komento: