Ish-futbollisti i njohur i Barcelonës sulmon skuadrën dhe trajnerin e ri, Koeman

20:52 | 20 Gusht 2020

Ish-futbollisti i Barcelonës sulmon klubin dhe trajnerin Ronald Koeman.

Gerard Deulofeu nuk është kursyer ndaj Barcelona-s dhe trajnerit të ri Ronald Koeman, i cili është zyrtarizuar ditën e mërkurë nga katalanasit.

Ish-futbollisti i Barçës dhe Milan-it ka përdorur fjalë të ashpra ndaj ish-trajnerit të Holandës dhe momentit që po kalojnë Messi me shokë.

“Çfarë mund të them për Koeman? Mund të them se, nga eksperienca ime personale, nuk kam shumë për të thënë sepse nuk më ka dhënë asgjë”, ka thënë Deulofeu për Radio Catalunya, duke kujtuar eksperiencën tek Everton nën drejtimin e trajnerit holandez.

“Nuk isha i kënaqur, nuk isha i lumtur dhe kjo ka qenë arsyeja pse kam kërkuar të largohem dhe kam shkuar te Milan-i. Të shohim se çfarë do të bëjë në Camp Nou”.

Në lidhje me momentin që po kalon Barcelona, ish-skuadra e tij:

“E vërteta është se situata e Barcelona-s nuk më bezdis. Thjesht nuk më intereson. Nuk po u japin kohë lojtarëve të cantera-s që të mësojnë stilin e lojës”.

“Nëse do ta bënin, të rinjtë do të mësonin shumë. Mendoj se tani do të ketë disa ndryshime, por janë shumë vite mbrapa. Duhej të kishin menduar më parë për këtë”, ka përfunduar Deulofeu.

Komento: