Nenad Radosavleviq, kryetari i parë i Leposaviqit në Kosovën e pasluftës, më 17 shtator ka bërë kallëzim penal ndaj kryetarit aktual të kësaj komune, Lulzim Hetemi, për mos shfrytëzim të buxhetit të vitit të kaluar.
Në postimin që ish-kryetari i komunës e ka bërë në Facebook, thuhet se sikurse vitin e kaluar, as sivjet nuk është realizuar asnjë projekt për të mirën e popullatës shumicë serbe, as për popullatën shqiptare, boshnjake apo rome.
Radosavleviq shprehet i shqetësuar që buxheti i vitit të kaluar i qytetarëve të Leposaviqit u mor dhe u shpërnda në fund të vitit të kaluar në komunat tjera “kryesisht më të pasura në Kosovë”.
“Është gjithashtu fakt që edhe këtë vit do të jetë i njëjtë”, thekson ai, raporton Klankosova.tv.
Ish-kryetari i Leposaviqit thotë se “meqenëse autoritetet më të larta si Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë ndërmend ta ndalin këtë krim kundër popullit në raport me insistimin tim me zyrtarët më të lartë të Prishtinës, kam obligim moral dhe detyrë qytetare që të kërkoj mbrojtjen e popullit para çdo gjykate që për ne, të refuzuarve nga atdheu ynë, kanë mbetur të vetmet”.
Në reagim, Radosavleviq e quan Lulzim Hetemin “kryetar të paligjshëm”, teksa shton se kallëzimin penal do ta bëjë për buxhetin e vitit të kaluar, pasi që për këtë vit nuk ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë momentalisht, ndonëse thotë se nuk pret që të ketë rezultat më të mirë as këtë vit.
Në fund, ai tha se nëse gjykatat e Kosovës nuk reagojnë, çështjen do ta çojë në instanca ndërkombëtare, kurdo që i lejohet.