Ish-ministri i Brendshëm: Kishim kërcënime për ditën kur do të shpallej Pavarësia

17:33 | 17 Shkurt 2024
ish-ministri-i-brendshem:-kishim-kercenime-per-diten-kur-do-te-shpallej-pavaresia


Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, në një intervistë për Front Online ka folur edhe për nivelin e sigurisë dhe nëse kishte ndonjë paralajmërim ose kërcënim nga serbët, atë ditë.

“Po, kishte kërcënime dhe ishte e kuptueshme. Kishim shqetësime që mund të kishte incidente në forma shpërthimesh a të ngjashme dhe kjo mund ta komprometonte ngjarjen e madhe. Pavarësisht mobilizimit të madh dhe angazhimit të krejt potencialit tonë, prap kishim friken dhe sidomos në vendet publike. Më kujtohet veç 2,3 ditë para shpalljes e bëmë një vizitë të shpejtë në Maqedoni, kryeministri dhe unë. Duhet t’i siguronim edhe fqinjët se gjithçka do të shkoj mirë”, ka deklaruar Pajaziti.

“Së bashku me drejtorin e Policisë i bëmë një gjiro sheshit të Prishtinës, doja t’i siguroja njerëzit që të rrinin të qetë”, kështu është shprehur Pajaziti, teksa shton se atë ditë, sheshet ishin plotë me njerëz.

“Prishtina dhe krejt sheshet ishin përplot duke e pritur lajmin. Më kujtohet data 16 shkurt, e thirra drejtorin e Policisë që bashkë të bënim një gjiro sheshit të Prishtinës. Kjo edhe si mesazh pas zërave që mund të ketë incident, unë doja ti siguroja njerëzit që të rrinë të qetë”, ka thënë ai për Front Online.

Përpos emocioneve, momenteve të mira dhe përgjegjësit që kishte, Pajaziti ka treguar se çfarë i ka mbetur pengë nga ajo ditë, pavarësisht asaj, se punën e tij si ministër e ka vlerësuar se e ka bërë në mënyrën më të mirë.

“Për sa i përket punës sime si Ministër, mendoj që e kam kryer mirë. Kur po flasim sot pas kaq vitesh, më shumë më rikthehet ajo ndjenja emocionale. Ju përmenda qe kisha bërë një gjest simbolik me shokët e axhës atë ditë dhe ndihem mirë për këtë. Por më ka mbetur peng që një diçka të tillë se bëra me dy axhallarët dhe babën. Për më tepër ata nuk ishin vetëm vëllezërit e një dëshmori. Ata ishin veprimtarë, ish të burgosur e patriotë të vërtetë. Por ata ishin aq shumë modestë e unë aq shumë i zënë. Përndryshe ka qenë e pamundur që atë ditë të mund ta shijoja e ta bëja normalisht për shkak të ngarkesës që kisha”, ka thënë tutje Pajaziti.

Komento: