Ish-ministri i Brendshëm zbulon se nga vinin kërcënimet në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

15:03 | 17 Shkurt 2024
ish-ministri-i-brendshem-zbulon-se-nga-vinin-kercenimet-ne-diten-e-shpalljes-se-pavaresise-se-kosoves

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, në përvjetorin e 16-të të  Pavarësisë së Kosovës, ka shpalosur një rrëfim ekskluziv nga koha kur po bëheshin përgatitjet e para për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

Ai në këtë përvjetor të 16-të ka kujtuar ish-krerët e UÇK-së.

Në një intervistë për Front Online, Pajaziti ka thënë se Pavarësia e Kosovës lidhet drejtpërdrejtë me Hashim Thaçin dhe shokët e tij.

“Kjo mbase mund të mbetet pjesa më e shëmtuar, nëse ne nuk bëjmë më shumë që gjërat të bien në vendin e vet. Pavarësia e Kosovës lidhet drejtpërsëdrejti më UÇK -në, me Hashim Thaçin e shokët e tij, që sot mbahen atje padrejtësisht. Kjo festë kurrë nuk do të jetë e plotë pa ata. Ata në njëfarë mënyre u vetëflijuan për t’i dhënë një shtytje proceseve dhe ecjes përpara të shtetit tonë. Shpresoj që ata të  kthehen sa më shpejtë”, është shprehur Pajaziti.

 

Zenun Pajaziti: Ndihem me fat që isha pjesë e ditës historike kur u shpall Pavarësia

 Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, në një intervistë për Front Online, ka folur me krenari e emocione për 17 Shkurtin e 2008-së dhe përgjegjësitë që kishte si ministër, duke shtuar se kjo ditë i ka sjellë momentet më unike të karrierës dhe jetës së tij.

“Padyshim mua kjo ditë më ri sjell në momentet më pikante të karrierës dhe jetës sime. Duke qenë edhe ministër i Brendshëm kisha më shumë përgjegjësi dhe stres e tundim në atë ditë të gjatë. Një ditë që përveç një akti formal të sublimimit të përpjekjeve e sakrificës historike të shumë brezave e donte të koordinohej një numër i pafund njerëzish e aktivitetesh festimi e gëzimi”.

Përpos angazhimeve, ai e konsideron veten me fat që ishte pjesë e kësaj dite historike.

“Tek pasi u ndezën fishekzjarrët në shesh, në mesnatë, për ta shënuar fundin e kësaj dite historike, isha çliruar edhe unë nga ngarkesa që ma jepte detyra ime. Thjesht, isha me fat të isha pjesë e asaj dite historike për vendin tonë”, ka thënë Pajaziti.

 

 

Pajaziti kujton 17 Shkurtin: Kuvendin e kishim më të rëndësishmin për t’i ofruar siguri

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, ZenunPajaziti, ka folur edhe për procesin e asaj dite dhe për koordinimi me Policinë e Kosovës, krerët politik dhe ata ndërkombëtar, teksa shton se atë ditë, qëllim kishin sigurinë e kuvendit dhe të shkonte gjithçka sipas planit.

“Ishte një plan i përgatitur mirë për menaxhimin e asaj dite dhe gjithçka ishte perfektë. Policia ishte e koordinuar me KFOR, UNMIK dhe partnerët tjerë, ndërkohë që ne e kishim koordinuar gjithë këtë projekt me partnerët kryesorë. Kishte një vullnet dhe energji të paparë te gjithsecili. Më e rëndësishmja ishte që akti i shpalljes, pra Kuvendi të jetë i sigurt dhe të mundësohej që gjithçka të shkonte mirë. Dhe ashtu ndodhi”, ka rrëfyer  Pajaziti për Front Online.

 

Ish-ministri Pajaziti: Ditën e Pavarësisë ia dedikoj axhës tim, Kadri Zekës

Kur kujton 17 Shkurtin e 2008-së, Zenun Pajaziti rikujton edhe kontributin e familjes së tij për lirinë e vendit, ndërsa shton se këtë ditë ia kushton axhës së tij, heroit Kadri Zeka.

“Atë ditë, mbaj mend që e kam filluar ditën me disa shokë të axhës tim, Kadri Zekës. I ftova ta pinim kafën e mëngjesit dhe ta fillonim ditën bashkë. Këtë ditë doja t’ia dedikoja atij. Ai ishte frymëzim për mua, familjen time e më vonë frymëzim për brezat në luftë për liri. Ishte përgjegjësi dhe krenari për mua”, ka thënë Pajaziti për Front Online.

Ish-ministri, ka treguar për telefonatat dhe mesazhet e shumta që kishte marr atë ditë.

“Ndjenja brenda Kuvendit ishte e papërshkrueshme. Njerëzit aty, mysafirët, të gjithë ishin pothuajse të ekzaltuar nga të qenit pjesë e një ngjarje historike. Mbaj mend edhe telefonata nga miq e të afërm. Mesazhe pa fund. Shumica prej tyre theksonin përveç urimit edhe angazhimin tim si dhe kontributin e familjes sime”, u shpreh Pajaziti.

 

“Datën e dinë të gjithë, e dinë Brukseli e Uashingtoni”, Pajaziti citon fjalët e ish- kryeministrit, Hashim Thaçi

Kush e dinte ditën, datën e orën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës?

Ish-ministri Zenun Pajaziti, ka cituar fjalët e ish-kryeministrat të Kosovës, Hashim Thaçit.

“Datën e dinë të gjithë, e din Brukseli e Uashingtoni”. Kështu përgjigjej Kryeministri Thaçi në pyetjet e vazhdueshme asokohe. Kjo pastaj u bë virale edhe si batutë asokohe. Në fakt ai e mbante ‘sekret’ datën për faktin se na duhej një nivel tepër i lartë i sigurisë. Pra, kuptohet ishte një numër i vogël që mbanin përgjegjësitë për komunikim me institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare. Duhej një koordinim shumëpalësh”, tha Pajaziti.

 

 Ish-ministri i Brendshëm: Kishim kërcënime për ditën kur do të shpallej Pavarësia

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, në një intervistë për Front Online ka folur edhe për nivelin e sigurisë dhe nëse kishte ndonjë paralajmërim ose kërcënim nga serbët, atë ditë.

“Po, kishte kërcënime dhe ishte e kuptueshme. Kishim shqetësime që mund të kishte incidente në forma shpërthimesh a të ngjashme dhe kjo mund ta komprometonte ngjarjen e madhe. Pavarësisht mobilizimit të madh dhe angazhimit të krejt potencialit tonë, prap kishim friken dhe sidomos në vendet publike. Më kujtohet veç 2,3 ditë para shpalljes e bëmë një vizitë të shpejtë në Maqedoni, kryeministri dhe unë. Duhet t’i siguronim edhe fqinjët se gjithçka do të shkoj mirë”, ka deklaruar Pajaziti.

“Së bashku me drejtorin e Policisë i bëmë një gjiro sheshit të Prishtinës, doja t’i siguroja njerëzit që të rrinin të qetë”, kështu është shprehur Pajaziti, teksa shton se atë ditë, sheshet ishin plotë me njerëz.

“Prishtina dhe krejt sheshet ishin përplot duke e pritur lajmin. Më kujtohet data 16 shkurt, e thirra drejtorin e Policisë që bashkë të bënim një gjiro sheshit të Prishtinës. Kjo edhe si mesazh pas zërave që mund të ketë incident, unë doja ti siguroja njerëzit që të rrinë të qetë”, ka thënë ai për Front Online.

Përpos emocioneve, momenteve të mira dhe përgjegjësit që kishte, Pajaziti ka treguar se çfarë i ka mbetur pengë nga ajo ditë, pavarësisht asaj, se punën e tij si ministër e ka vlerësuar se e ka bërë në mënyrën më të mirë.

“Për sa i përket punës sime si Ministër, mendoj që e kam kryer mirë. Kur po flasim sot pas kaq vitesh, më shumë më rikthehet ajo ndjenja emocionale. Ju përmenda qe kisha bërë një gjest simbolik me shokët e axhës atë ditë dhe ndihem mirë për këtë. Por më ka mbetur peng që një diçka të tillë se bëra me dy axhallarët dhe babën. Për më tepër ata nuk ishin vetëm vëllezërit e një dëshmori. Ata ishin veprimtarë, ish të burgosur e patriotë të vërtetë. Por ata ishin aq shumë modestë e unë aq shumë i zënë. Përndryshe ka qenë e pamundur që atë ditë të mund ta shijoja e ta bëja normalisht për shkak të ngarkesës që kisha”, ka thënë tutje Pajaziti.

 

Pajaziti: Mbledhja e Këshillit të Sigurimit si pasojë e moskoordinimit të Kurtit me Ndërkombëtarët, tema e dinarit mbuloi sulmin në Banjskë

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajazit, ka thënë se në festa si kjo e Pavarësisë, do të duhej të përmenden të arriturat e shtetit, por sipas tij nuk ka çfarë të thuhet.

Ai ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin se nuk ka koordinim me partnerët ndërkombëtar, duke shtuar se gabimet e tij, sollën situatën që të mblidhet Këshilli i OKB-së.

“Nuk ka diçka të mirë që mund të shihet. Rendi e do në festa të përmenden arritjet dhe me dëshirë do ta bëja por çka të përmend”.

“Ky lidership e ka humbur fillin e koordinimit me partnerët dhe veriun e ka rikthyer në kauzën për të qëndruar në pushtet në mënyrën më populiste të mundshme. Të drejtën për ta vendosur sovranitetin në krejt vendin e kemi fituar më herët dhe partneret na kanë mbështetur. Kurti duke e mohuar në tërësi dialogun, tani ka ardhë me një version edhe me të dëmshëm për veriun. E tani së fundmi e solli situatën të mblidhet KS i OKB dhe tema e dinarit të mbulojë sulmet terroriste të Banjskës”, ka deklaruar ai për Front Online.

Pajaziti ka shtuar se gjatë qeverisjes së tyre kanë bërë shumë, ndërsa sipas tij, Qeveria Kurti prej vitesh nuk ka sjell as njohje e as ndonjë projekt të madh.

Pajaziti ka komentuar edhe veprimet e Kurtit, i cili sa ishte në opozitë nuk i njihte simbolet e shtetit të Kosovës dhe thoshte se nuk ka arsye ta festoj Pavarësinë.

“Unë e përmenda qëndrimin e tij për dialogun dhe veprimet e tij të tashme. Pra në mënyrë të vazhdueshme i ka ndryshuar qëndrimet. Dhe po të ishin veç elektorale, s’ka gjë, nëse vendi do të ecte përpara. Siç e keni pa në këtë mbledhje të KS të OKB-së, Rusia u mor me ne si kurrë më parë e përveç tjerash ambasadori rus citoi një Ministër të Kurtit i cili kishte thënë se ‘Kosova është projekt i përkohshëm’. Pra, kjo tregon nivelin politik të kësaj qeverie”, u shpreh ndër tjerash Pajaziti për Front Online.

Sot, Kosova po feston 16 vjet shtet. Pas disa raundesh bisedimesh me Serbinë, Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2008. Në këtë mbledhje morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë./Front Online/

 

Komento: