Ish ministrja Bajrami: Skandal që Berishaj s’po dorëhiqet ose s’po shkarkohet

22:45 | 26 Prill 2022

Bajrami: Skandal që Berishaj s’po dorëhiqet ose s’po shkarkohet.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e ka quajtur skandaloze mos dorëheqjen apo mos shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Zagreb Martin Berishaj, për të cilin u raportua se është i përfshirë në një skandal financiar.

“Ne e konsiderojmë skandal që zotëria nuk po jep dorëheqje ose që nuk po shkarkohet, për shkak se është emri i shtetit tonë. Ne nuk japim verdikte si parti politike, por kur emri i shtetit tonë është në pozitën që e kanë sjellë sot dhe besoj se e gjithë shoqëria është e befasuar me mos reagimin ose me mbrojtjen”, tha ajo në Rubikon të Klan Kosovës

Duke folur për moslejimin e Qeverisë për krijimin e Komisionit Hetimor për energji, Bajrami tha se rezistenca e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për çështjen e komisionit vetëm sa i shton dyshimet mbi menaxhimin e krizës energjetike.

“A e dimë që janë dhënë 120 milionë euro për energji, sot ka plasur skandali, është gjithandej edhe Qeveria nuk e lejon opozitën ta ushtrojë të vetmen të drejtë që e ka, Komisionin Parlamentar, e cila i jep kompetenca opozitës për ta kontrolluar Qeverinë”, u shpreh Bajrami.

Ajo shtoi se komisioni hetimor duhet të formohet, pasi kjo është e drejtë kushtetuese e opozitës.

Komento: