Ish-minstrja Ahmetaj: Vendimi i djeshëm i Komitetit të Ministrave në KiE, përgjigje e shteteve anëtare për veprimet e Kurtit

18:33 | 08 Maj 2024
ish-minstrja-ahmetaj:-vendimi-i-djeshem-i-komitetit-te-ministrave-ne-kie,-pergjigje-e-shteteve-anetare-per-veprimet-e-kurtit

Megjithëse Asambleja Parlamentare i tha “PO” anëtarësimit të Kosovës në KiE, dje një lajm jo fort i mirë erdhi nga Këshilli i Evropës. Komiteti i Ministrave nuk e ka në agjendë votimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE. Krejt kjo vjen pas kushtëzimit të Kosovës nga Franca e Gjermania për themelimin e Asociacionit.

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj tha se vendimi i Komitetit të Ministrave është përgjigje e shteteve anëtare për veprimet e Kurtit.

“Vendimi i djeshëm i Komitetit të Ministrave në KiE është përgjegjje dhe reflektim i shteteve anëtare, në këtë rast shteteve të caktuara drejtuar Qeverisë se vendit, më saktësisht z.Kurti. Kosova është përkrahur në të gjitha stadet drejt anëtarsimit deri në fazen e tanishme kur kërkohet përkrahje politike nga krerët e shteteve anëtare për t’a përmbyll procesin e anëtarsimit për Kosovën, gjë që u konfirmua që Kurti nuk e ka. Për më tepër vendimi është rezultat i raporteve të ndërtuara të z.Kurti me partnerët ndërkombëtare në këto vite të qeverisjes së tij”, tha Ahmetaj.

E për letrën e krerëve të shtetit të cilët ia dërguan Dora Bakojanis me të cilën ndër të tjera u zotuan se do ta themelojnë Asociacionin, ish-ministrja Ahmetaj u shpreh se Kosova “është zhytë në detyrime dhe në kthim nuk ka fituar asgjë”

“Nuk e di nese Asociacioni është “çelsi” apo “kerbaci” për Kosovën, por e di që ne jemi futë në detyrime me letren që tre të parët e shtetit e kanë dërguar/nënshkruar në KiE dhe që zotimet e tilla mbeten detyrime për Kosovën në secilin proces nëpër të cilin Kosova do të kalon në të ardhmen. Rrjedhimisht, Kosova është zhytë në detyrime dhe në kthim nuk ka fituar asgjë. Pra ne jemi në në pozicion humbës ne të gjitha rrethanat dhe askush nuk mund të na garanton që një vit pas rrethanat do të jenë më lehtësuese për Kosovën, nëse atëherë Kosova vihet në agjendë”, shtoi ish-ministrja.

Kurti mesazh Francës e Gjermanisë: Nuk e pranojmë kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion

Kryeminsitri i vendit Albin Kurti sot ka mbajtur një mbledhje pasi çështja e Kosovës për anëtarësim në KiE nuk hyri në agjendën e Komitetit të Ministrave.

Kurti u shpreh i habitur nga Gjermani dhe Franca të cilat ia vendosen Kosovës edhe një kusht për anëtarësim në KiE.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhieve me Serbinë bisedojmë ne Bruksel jo në Strasburg. Neni 7 i marrëveshjes bazike edhe në ndërlidhje me nenin 10 nuk mund të nxjerret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj as sipër saj si një çështje urgjente”, u shpreh Kurti
Kujtojmë se Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Kjo, përkundër marrëveshjes që ajo ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare./Periskopi/

Komento: