Ekrani i telefonit s’është më prekja që duam më së shumti, por fatkeqësisht na mbeti e vetmja prekje që mund të bëjmë.
Më vjen keq që më duhet të them se na duhej diҫka që të na i hapte sytë edhe pse s’do të doja që ajo ‘diҫka’ të ishte një gjë e tillë siҫ është pandemia, konkretisht virusi COVID-19.
Të ndalemi e të mendojmë për një ҫast, kur jemi ulur e gjithë familja bashkë të bëjmë muhabete të thella, të thërrasim të gjitha kujtimet, nga atje ku filluam të ecnim e ku tham fjalën e parë.
Të ndalemi e të mendojmë kur analizuam kaq mirë fytyrën e njëri-tjetrit, kur shijuam kaq shumë ҫdo buzëqeshje, e kur përjetuam ҫdo mërzitje e ndryshim mimike të personave më të dashur.
Supozoj që kishte kohë që se kishim bërë, e fundit herë duhet të ketë qenë në ndonjë fotografi të postuar në rrjetet sociale.
Imagjino të mbash si kujtim fytyrën e nënës e babait të ‘stolisur’ me fotoshop.
Me ardhjen e koronavirusit na erdhën edhe disa masa parandaluese si ato të mos përshëndetjes me duar si dhe qëndrimit në distancë të paktën në 1 metër.
Jo rastësisht i përmenda këto të dyja, sepse janë pikërisht këto që të bëjnë të kuptosh se gjërat e vogla e të thjeshta janë ato që t’a mbushin shpirtin.
Them se kur të gjithë kësaj situate t’i vije fundi, nuk do të hezitojmë që kohë pas kohe dhe pa ndonjë arsye të dhurojmë përqafime për familjarët e njerëzit e tjerë të afërt.
Mendoj se pas gjithë kësaj, ato puthjet e përshëndetjeve kur takohemi ose kur përfundojmë takimin, nuk do të jepen më në ajër, e ato shtrëngime duarsh nuk do jenë më aq sipërfaqësore. Them se secila puthje do jepet shoqëruar me dashuri e secili shtrëngim duarsh do jetë një premtim për mbështetje.
Madje, mendoj se do jetë një periudhë gjatë së cilës do na marr malli për kafet me miqtë, ose pauzat me kolegët e punës. Pas kësaj, në këto dalje nuk do na mpihet qafa me kokat poshtë në telefona, por do na mpihet nofulla nga muhabetet e të qeshurat me njëri-tjetrin. Më parë aty buzëqeshjet ishin të rralla, zakonisht rezervoheshin vetëm për atë fotografinë që duhej të postonim në Facebook apo Instagram.
Kjo mund të jetë një mundësi e mirë edhe për t’u pastruar nga komplekset e panevojshme. Shtëpia e familja janë vendi më i mirë ku mund të kuptojmë se mund të duhemi ashtu siҫ jemi.
Familja është vendi ku mund të qëndrosh vetja, pa hallin se si duhet të kombinosh rrobat, si të rregullosh flokët e të bësh grimin, madje as pa hallin se cilin parfum do përdorësh, aty s’të dëgjohet parfumi, aty dominon aroma e kujdesit, përkushtimit e dashurisë.
Gratë dhe burrat që takoheshin vetëm në mbrëmje, tani do të kenë më shumë kohë të ‘njihen’ me njëri-tjetrin, të analizojnë mirë si është zëri i tjetrit kur zgjohet nga gjumi, të shoh si e zë gjumi ashtu ulur në kolltuk nga lodhja, ndonëse nuk ka bërë asgjë.
Madje, është një mundësi e mirë të shijoni tryezat me gatime nga duart e nënës, babain, motrës, vëllait e kujtdo tjetër.
Po e përsëris, “më vjen keq” që më duhet të shprehem kështu, por kjo është një mundësi e mirë për shumë gjëra, e më së shumti për ata fëmijët e vegjël që në kohën kur duhet të mësonin gjërat e para nga kjo botë, nuk e kishin shumë praninë e prindërve, pikërisht këta fëmijë do kenë mundësinë që për disa ditë të zgjohen e të kalojnë kohë duke parë fytyrën e nënës e babit, fytyra këto që i’u ishin ‘ngatërruar’ me ato të edukatoreve.
Nuk do të doja që kështu të ndodhte, por ja që mund të dëshmohet edhe njëherë që ҫdo e keqe sjellë një të mirë.
Kam një përshtypje që edhe pse po qëndrojmë të mbyllur e jemi mbledhur me familjet tona, nuk kemi shumë problemin e mbushësve të telefonave, as të garave se kush e zë prizën me vendin më të përshtatshëm, ose edhe atyre për telekomandën e televizorit.
Jo pse jemi bërë më të kuptueshëm, por ҫkado që hapim, si në rrjetet sociale, si në televizor, do shohim materiale apo artikuj që kanë të bëjnë me koronavirusin.
Padyshim, është e natyrshme!
Por, duke ndjerë nevojën që të largohemi paksa nga e tërë kjo ‘tollovi’, po zgjedhim që të bisedojmë.
Bisedat sy më sy janë “emisioni” më i mirë për të argëtuar vetën, sepse skenarin e shkruani vet e nuk e keni hallin te shikueshmëria. Bisedat janë edhe “artikulli” më i mirë që mund të lexoni, artikull i pa ndikuar nga klikimet, aty ku mund t’i vini pikën e presjen ku të doni.
Prandaj, jo pa qëllim thash se izolimi nga koronavirusi na e nxori dashurinë nga kafazi, atë dashuri që na e kishte mbyllur bota virtuale, atë dashuri që nuk e kuptuam se është gatuar me grimca të imta që krijuan diҫka kaq të madhe, ato grimca që i izoluam me një kod telefoni.
Ҫdo fjalë e thënë në sy, ҫdo prekje e ndjerë, ҫdo përqafim i ngrohtë e ҫdo shikim i sinqertë vlejnë më shumë se një “Like”.
Koronavirusi na i mbylli dyert, rrugët, shkollat, kafitëritë e dyqanet, por ne kemi një ҫelës që s’na ndalon dot asnjë vendim që ta përdorim, është ai ҫelësi i zemrës.
Prandaj, pas gjithë këtyre mbylljeve, ne le t’i hapim zemrat tona, e dashurinë që kemi le t’na e shoh bota.
PA PANIKË, PA FRIKË
ME KUJDES, VIRUSI IK!
(Genita Ukaj – autorja është diplomuar në Sociologji)