Ja formacioni i mundshëm i Balkanit ndaj BATE Borisov në Ligën e Konferencës

13:42 | 24 Gusht 2023

Formacioni i mundshëm i Ballkanit ndaj BATE Borisov në Ligën e Konferencës.

Trajneri Ilir Daja ka bërë të gjitha përgatitjet e mundshme dhe ka një ide të qartë mbi rreshtimin e ekipit në ndeshjen e parë të “Play-Off”-it të Ligës së Konferencës ndaj BATE Borisov.

Ballkani është nikoqir i BATE Borisovit në ndeshjen e parë të fazës “Play-Off” për kualifikim në grupet e Ligës së Konferencës .

Therandasit e presin ekipin bjellorus në takimin që pritet të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.

Ekipi i Ilir Dajës është përgatitur maksimalisht për këtë sfidë dhe është i kompletuar drejt arritjes së një rezultati pozitiv.

Telegrafi mëson se trajneri shqiptar nuk pritet të bëjë ndryshime dhe do të paraqitet me ekipin më të mirë, në kërkim të një rezultati pozitiv që do ta dërgonte me qetësi në ndeshjen kthyese.

Në portë do të jetë i përhershmi Enea Koliqi, ashtu sikurse edhe mbrojta që nuk pritet të ndryshoj me Armend Thaqin e rikthyer në krahun e djathtë, Lumbardh Dellova dhe Bajram Jashanica në qendër dhe Lorenc Trashi në të majtë.

Në mesfushë do të jetë kapiteni Edvic Kuc së bashku me Vesel Limajn, i cili zëvendëson Qëndrim Zybën që nuk është ende i gatshëm qind për qind, ndërsa para tyre do të jenë Meriton Korenica, Almir Kryeziu dhe Nazmi Gripshi.

I vetëm në maje të sulmit pritet të jetë Albin Berisha.

Formacioni i mundshëm: Koliqi; Thaqi, Dellova, Jashanica, Trashi; Kuc, Limaj; Korenica, Kryeziu, Gripshi; Berisha.

Komento: