Ja sa për qind e popullatës së rritur në Kosovë konsumojnë duhan

15:06 | 31 Maj 2022

Rreth 28-30 për qind e popullatës së rritur në Kosovë konsumojnë duhan.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është shënuar Dita Botërore pa Duhan.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha se nga viti 2013 kur Kosova miratoi Ligjin për Kontrollin e Duhanit, i cili sipas saj, përveç se u vlerësua lart nga mekanizmat lokal dhe ndërkombëtar, gjithashtu dha dëshmi të qarta se kur ka një bashkëveprim të mirë të institucioneve, shoqërisë civile dhe vet qytetarëve, mund të bëhen ndryshime të pa imagjinueshme në fushën e shëndetit publik, duke mbrojtur përmes ligjit nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore, të cilat janë edhe motoja e kësaj dite sivjet, që bën thirrje për mbrojtjen e planetit tonë nga helmimi me duhan.

Sipas saj prevalenca e duhan-pirjes në Kosovë mbetet ende e lartë me rreth 28%-30% të popullatës së rritur që konsumojnë duhan, ku burrat janë konsumues më të mëdhenj të këtij produkti, por që fatkeqësisht është vërejtur rritje e konsumimit edhe në mesin e gjinisë femërore, përfshirë këtu edhe shtatzëna.

“Disa vjet pas, ne shohim rënie të ndjeshme të disiplinës për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, i cili pavarësisht shkeljeve që i bëhen ka sjellë një kulturë të re edukative në shoqërinë tonë, duke prodhuar efekte në uljen e konsumit në mesin e të rinjve, siç tregon edhe Hulumtimi gjithëpërfshirës i duhan-pirjes tek të rinjtë GYTS II, i cili gjeti se në mesin të rinisë të moshës 13-15 vjeç, konsumi i duhanit nga 6.7% sa ishte para hyrjes në fuqi të ligjit, kishte rënë në 4.4% më 2016, derisa duhan-pirja pasive ishte përgjysmuar, nga 84% në 43%. Prevalenca e duhan-pirjes në Kosovë mbetet ende e lartë me rreth 28%-30% të popullatës së rritur që konsumojnë duhan, ku burrat janë konsumues më të mëdhenj të këtij produkti, por që fatkeqësisht është vërejtur rritje e konsumimit edhe në mesin e gjinisë femërore, përfshirë këtu edhe shtatzëna”, tha mes tjerash ajo.

Arben Lila-Përfaqësues i organizatës KADC, theksoi rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe theksoi se duhet pamundësuar që industria e duhanit të ketë ndikim mbi institucionet dhe të ndërhyjë në politikat e kontrollit të duhanit, siç ka bërë në disa nga qeveritë e kaluara, duke shtyrë miratimin e Udhëzimit për vërejtjet e kombinuara shëndetësore.

Ai gjithashtu, u shpreh se duhet të organizohen më shumë aktivitete, si: vendosja e fotografive në pakot e duhanit, të cilat sipas tij, në vitet paraprake, kanë treguar një rezultat shumë të mirë në lënien e duhanit.

Oleksandr Martynenko, nga Zyra e OBSh-së, Prishtinë tha se me rastin e shënimit të kësaj Dite, duhet të ndërgjegjësojmë popullatën se sipas tij, dëmi nga duhanpirja shkon përtej tymit të një cigareje.

Ai tha se duhani shkakton kancer, dhe se çdo i dyti person duhanpirës, ka gjasa të vdesë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.

“Nga fillimi në fund – nga paketimi, transporti, konsumi -Cikli jetësor i duhanit ndot, dëmton dhe përfundimisht na vret ne dhe planetin tonë”, tha ai.

Komento: