Java e imunizimit, Hoti: Vaksinimi ka qenë i zbatuar me sukses

19:03 | 25 Prill 2024
java-e-imunizimit,-hoti:-vaksinimi-ka-qene-i-zbatuar-me-sukses

Faik Hoti, nga Instituti i Shëndetësisë Publike, ka folur për javën e imunizimit dhe rëndësinë e vaksinimit.

Ai tha se ky aktivitet është tradicional që shënohet në muajin prill të çdo viti dhe ka për qëllim ta ritheksojë rëndësinë e imunizimit si intervenim kyç i shëndetit publik, në parandalimin e sëmundjeve potencialisht vdekjeprurëse e që mund të parandalohen përmes vaksinimit.

Hoti bëri të ditur se java e imunizimit shënohet sivjet edhe për shënimin e 50-vjetorit qëkur se vaksinimi është bërë kalendar i rregullt në shumë shtete të Evropës e ku në këtë vijë edhe Kosova i është bashkuar kontinentit evropian.

“Java e imunizimit shënohet sivjet edhe për shënimin e 50-vjetorit qëkur se vaksinimi është bërë kalendar i rregullt në shumë shtete të Evropës e ku në këtë vijë edhe Kosova i është bashkuar Evropës, ku përmes aktiviteteve të tilla që drejtpërdrejt ndikojnë në ndërgjegjësimin e prindërve, e publikut, e kujdestarëve ligjorë në mënyrë që të  respektohet kalendari i rregullt i vaksinimit në Kosovë dhe fëmijët tanë të vazhdojnë të jenë të mbrojtur nga 13 sëmundje infektive, të cilat shkaktohen për shkak të mosvaksinimit”, deklaroi Hoti në RTK.

Sipas tij, kalendari i vaksinimit ka qenë i zbatuar me sukses nga Kosova, por që, shtoi ai, kalendari i vaksinimit përditësohet dhe paraqitet nevoja për vaksina të reja.

Më tej, Hoti shtoi se asnjë fëmijë nuk është mirë që ta humb ndonjë dozë, sepse, sqaroi ai, humbja e një doze ndikon që një sëmundje infektive rrezikon që të shfaqet tek ai.

Komento: