Kadrijaj: Raporti i DASH-it konfirmoi skandalet dhe aferat korruptive të Qeverisë ‘Kurti’

19:03 | 23 Prill 2024
kadrijaj:-raporti-i-dash-it-konfirmoi-skandalet-dhe-aferat-korruptive-te-qeverise-‘kurti’


Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj raportin e DASH-it lidhur me korrupsionin në Kosovë e ka vlerësuar si konfirmim të skandaleve dhe aferave korruptive të qeverisë aktuale.

Kadrijaj tha për Front Online se opozita ka kërkuar Komision Hetimor i cili është kundërshtuar nga mazhoranca.

“Këto shqetësime i kemi ngritë si opozitë ndoshta në çdo seancë dhe jashtë seance. Kemi kërkuar Komision Hetimor të cilat janë bllokuar nga mazhoranca me qëllimin e mos zbulimit të korrupsionit qeveritar. Çdo ditë po publikon skandale dhe afera korruptive të qeverisë. E tash raporti i DASH-it është veç një konfirmim”, u shpreh Kadrijaj për Front Online.

Në raport citohen edhe OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare, për të cilat thotë se “pretenduan për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor që të ndiqet penalisht korrupsioni, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime. Dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë të dënuar për korrupsion ishte shpesh i butë”.

Në qershor, Gjykata Themelore e Prishtinës përfundoi gjykimin e vitit 2019 të ish-ministrit të Bujqësisë Nenad Rikalo dhe tetë zyrtarëve të tjerë të Ministrisë të cilët ishin të akuzuar për shpërdorim detyre. Gjykata dënoi Rikalon dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë me tre dhe dy vjet burg. Gjashtë të pandehurit e mbetur u shpallën të pafajshëm.

“Mediat raportuan se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës hapën hetime penale kundër të paktën pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave me akuza për vepra të lidhura me korrupsionin. Më vete, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtore ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë dhe i gjobiti respektivisht 700 euro (764 dollarë) dhe 500 euro (545 dollarë)”, thuhet në raport.

 

Komento: