Kadriu: Shqiptarët e Luginës duan bashkim me Kosovën, s’do të votojnë në zgjedhjet e 17 dhjetorit

08:01 | 16 Dhjetor 2023
kadriu:-shqiptaret-e-lugines-duan-bashkim-me-kosoven,-s’do-te-votojne-ne-zgjedhjet-e-17-dhjetorit

Komuna e Gjilanit është mobilizuar sa u përket zgjedhjeve parlamentare serbe që do të mbahen të dielën e 17 dhjetorit.

Kjo, për shkak që shumë shqiptarë të Luginës jetojnë në këtë komunë.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka njoftuar të enjten se është siguruar transporti për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.

Hyseni tha se për më shumë informata, qytetarët duhet të drejtohen tek Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të komunës së Gjilanit, shkruan Front Online.

Por, për këtë organizim nuk është i njoftuar kryetari i Lëvizjes “Vatra” në Gjilan, Kushtrim Kadriu.

Ndërsa, thotë se nga takimet që kanë pasur me shqiptarët e Luginës që jetojnë në Gjilan, interesimi për të votuar në zgjedhjet e 17 dhjetorit është i ulët.

Dhe, këtë e thotë se ka një arsye.

“Interesimi është i ulët sepse shqiptarët e Kosovës Lindore që jetojnë në Gjilan por edhe ata që jetojnë atje janë të interesuar për bashkim të Preshevës, Medvegjës, e Bujanocit me Kosovën dhe jo me marr pjesë në institucione të Serbisë, në zgjedhje të Serbisë sepse është e panatyrshme dhe jo e kapshme që shqiptarët të jenë pjesë e Parlamentit të Serbisë”, është shprehur Kadriu për Front Online.

Madje, ai ka një kritikë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Mbi të gjitha me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit i cili ka premtuar bashkim kombëtar, bashkimin e Luginës me Republikën e Kosovës unë mendoj se z.Kurti do të duhej ta bënte bashkimin kombëtar sepse me gjasë ishte dashtë të ketë një plan para se ta jepte këtë premtim sesa të jep kaq shumë zor që shqiptarët e Luginës të inkuadrohen në Serbi”, ka thënë ai.

 

Kadriu: Kurti përçau spektrin politik në Luginë, s’do të ketë asnjë deputet shqiptar në parlamentin e Serbisë

Kryetari i Lëvizjes “Vatra” në Gjilan, Kushtrim Kadriu, është shprehur për Front Online se kryeministri Albin Kurti ka përçarë spektrin politik në Luginë dhe si pasojë e kësaj, në parlamentin e Serbisë nuk do të ketë asnjë deputet shqiptar.

“Unë mendoj se me politikat destruktive të z.Kurtit dhe me përçarjen e madhe që ka bërë të spektrit politik në Kosovën Lindore tani më nuk do të ketë deputet në Parlamentin e Serbisë, por mendoj se nuk është dashtë as në të kaluarën të ketë deputetë në Parlamentin e Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, tentativat për të inkuadruar shqiptarët në institucionet e Serbisë shkojnë në favor të Vuçiqit.

“Është dashtë të shkojmë me programin e referendumit të vitit 1992 i cili është i qartë dhe ku 98% e banorëve të Kosovës Lindore votuan për bashkëngjitjen me Kosovën dhe çdo tentativë për të inkuadruar shqiptarët e Kosovës Lindore në institucionet qendrore të Republikës së Serbisë është në favor të Vuçiqit dhe në favor të mbajtjes së pushtuar të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës nga Serbia”, ka deklaruar ndër të tjera Kadriu.

 

Kryetari i Lëvizjes “Vatra”: Lugina të jetë pjesë e diskutimit në Bruksel

Kryetari i Lëvizjes “Vatra” në Gjilan, Kushtrim Kadriu, ka deklaruar se shqiptarët e Luginës nuk mendojnë njëjtë si kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij që duhet të votohet në zgjedhjet nacionale të Serbisë.

“Shqiptarët e Kosovës Lindore nuk mendojnë si Albin Kurti dhe vartësit e tij, nuk mendojnë që duhet të votohet ne zgjedhjet nacionale në Serbi dhe nuk mendojnë se Kosova Lindore duhet të jetë pjese e Serbisë”, është shprehur Kadriu, për Front Online.

Ai, thotë se tashmë është koha që për Luginën tashmë të diskutohet në Bruksel.

“Mendoj që tani më është koha ideale që Presheva, Bujanoci e Medvegja të jenë pjesë e diskutimit në bisedat e Brukselit dhe synim i yni paqësor dhe përfundimtar duhet të jetë bashkëngjitja e këtyre tri komunave apo përmirësimi i asaj padrejtësie historike që na është bërë pas Luftës së Dytë Botërore, bashkëngjitjen me Republikën e Kosovës, ashtu siç ka qenë deri në vitin 1956”, ka pohuar ai.

Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ditë më parë  ka deklaruar për Front Online se presin që në zgjedhjet e 17 dhjetorit ti fitojnë dy mandate.

Por të kundërtën e ka thënë kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi./Front Online/

 

Komento: