Kafeteria në Suedi ku kishte punuar Liridona sot hapi dyert për ngushëllime: “Lili jonë”

15:20 | 03 Dhjetor 2023

Kafeneja në Suedi ku kishte punuar Liridona Ademaj, “Lejas Café”, këtë të diel do të jetë e mbyllur për klientët, por ka hapur dyert për ngushëllime për vdekjen e saj.

Vendi i saj i punës përmes një shkrimi në Facebook tha se Lili, siç e kanë quajtur atë, ishte një person shumë i dashur dhe se mirëpriste mysafirët e sigurohej që ata t’i dilnin të kënaqur nga kafeneja.

“Me trishtim të madh dhe zemra të rënduara duhet të njoftojmë sot se një person kaq i mrekullueshëm duhej të largohej shumë herët nga kjo botë. Një grua që vlerësonte gjithmonë klientët e saj dhe dëshironte të sigurohej që ata të kishin gjithmonë përvojën më të mirë me ne. Ajo gjithmonë jepte 100 përqindëshin e saj në vendin e punës dhe ishte vërtetë e hareshme me një buzëqeshje që ua ngjitke shpejt edhe kolegëve edhe klientëve”.

Ajo e donte jetën familjare dhe 2 djemtë e saj të mrekullueshëm më shumë se çdo gjë në botë, thotë më tej vendi i punës së Liridonës.

“Liridona nuk ishte thjesht një punonjëse e jona në Lejas Café. Ajo ishte shumë më tepër se kaq. Ajo gjithmonë donte të sigurohej që të tjerët të ishin mirë. Ajo ishte një shoqe shumë e dashur për të gjithë dhe një punonjëse e njohur me klientët. Ajo krijonte lehtësisht lidhje të mira përmes personalitetit të saj dhe këto janë vetëm disa nga cilësitë e mira që zotëronte”.

Por, “Lejas Café” nuk foli për rrethanat tragjike se si u vra Liridona.

“Kemi marrë shumë pyetje në lidhje me ngjarjen dhe me gjithë respektin për të afërmit e saj, jemi përmbajtur të mos postojmë asgjë në rrjetet sociale”.

Ndërkohë, kafeneja thotë se kushdo që shkon për ngushëlluar apo kujtuar Lilin, të dielën do të jenë të hapur.

“Jemi të hapur për publikun ku të gjithë janë të mirëpritur të ngushëllojnë dhe kujtojnë Lilly-n tonë! Do të jemi të hapur nga ora 15.00. Nuk do të ketë shitje, por në vend të saj do të ketë kafe falas. Mirë se vini!”, thuhet në postim.

Komento: