Kahn: Këta dy lojtarë janë ‘zemra’ e Bayernit

21:30 | 17 Shtator 2021

Ndonëse negociatat zgjatën plot 11 muaj, Bayern Muncheni ia doli të “blindojë” mesfushorin Leon Goretzka, i cili firmosi tashmë një kontratë të re pesëvjeçare, që do ta mbajë në Bavari deri në verën e 2026-s.

Drejtuesi më i lartë i klubit bavarez, Olivier Kahn, u shfaq mjaft i lumtur për rinovimin e gjermanit dhe deklaroi se Goretzka bashkë me Kimmich janë “zemra” e lojës së Bayernit, ndaj “blindimi” me kontrata të reja i tyre është shenjë për të ardhmen e klubit.

“Jemi shumë të lumtur që, më në fund, Goretzka zgjodhi ta zgjatë bashkëpunimin me ne, ndonëse negociatat zgjatën më shumë se zakonisht. Ai dhe Kimmich janë ‘zemra’ e lojës së Bayernit dhe kontratat e reja afatgjata të tyre janë shenjë se klubi do të vijojë të garojë për të fituar çdo trofe të mundshëm”, ka thënë Kahn.

Komento: