
Shaip Kamberi ka prezantuar rezolutën që dorëzoi në Kuvendin e Serbisë, bashkë me deputetët e SDA nga Sanxhaku.
Rezoluta është hartuar për dënimin e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë gjatë viteve 1998–1999, duke u mbështetur në aktgjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë.
Në tekstin e rezolutës thuhet se institucionet e Serbisë dhe të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë kanë zbatuar një politikë sistematike diskriminimi, represioni dhe dhune ndaj shqiptarëve të Kosovës, sidomos pas heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989.
Dokumenti rikujton se gjatë luftës në Kosovë, forcat e ushtrisë jugosllave, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe formacionet paramilitare kanë kryer “një fushatë sistematike dhune” ndaj popullsisë civile shqiptare, përfshirë vrasje, deportime dhe spastrim etnik.
Rezoluta i referohet drejtpërdrejt aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës, ku është konstatuar ekzistimi i një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, me synim ndryshimin me forcë të strukturës etnike të Kosovës përmes terrorit dhe dëbimit masiv të shqiptarëve.
Në dokument përmenden edhe masakrat e kryera në Reçak, Mejë, Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Izbicë dhe Podujevë, si dhe operacioni për fshehjen e krimeve, i njohur si “asanimi i terrenit”, përmes transportimit të trupave të civilëve shqiptarë në territorin e Serbisë.
Kjo është rezoluta e plotë:
PROPOZIM REZOLUTË
PËR DËNIMIN E KRIMEVE TË REPUBLIKËS SË SERBISË TË KRYERA NË KOSOVË, TË PËRCAKTUARA ME AKTGJYKIMET E TRIBUNALIT NDËRKOMBËTAR PENAL PËR ISH-JUGOSLLAVINË
I. DISPOZITAT HYRËSE
Duke u nisur nga fakti se gjatë periudhës 1989–1999 institucionet e Republikës së Serbisë dhe të Republikës Federale të Jugosllavisë zbatuan një politikë sistematike diskriminimi, represioni dhe dhune ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë;
Duke kujtuar se pas heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989 u vendos një sistem apartheidi institucional, represioni dhe përjashtimi të shqiptarëve nga jeta publike;
Të vetëdijshëm se gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998–1999 forcat e Ushtrisë Jugosllave, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe formacionet paramilitare zbatuan një fushatë sistematike dhune ndaj popullsisë civile shqiptare;
Duke pasur parasysh se Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, në disa aktgjykime, ka konstatuar ekzistimin e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale, që kishte për qëllim ndryshimin me dhunë të strukturës etnike të Kosovës përmes deportimeve, vrasjeve, përndjekjeve dhe terrorit ndaj civilëve shqiptarë”;
Duke konfirmuar se gjatë vitit 1999 qindra mijëra civilë shqiptarë u dëbuan me forcë nga Kosova, ndërsa mijëra civilë u vranë në masakra anembanë Kosovës;
Duke rikujtuar masakrat në Reçak, Mejë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Suharekë, Izbicë, Podujevë dhe në shumë vende të tjera;
Duke konfirmuar se trupat e civilëve shqiptarë të vrarë u transportuan fshehurazi në brendësi të Serbisë në kuadër të operacionit për fshehjen e krimeve të njohur si “asanimi i terrenit”;
Duke theksuar se në Batajnicë, Petrovo Selo, Perućac dhe Kiževak janë zbuluar varreza masive me trupat e civilëve shqiptarë nga Kosova;
Duke kujtuar se funksionarët më të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të regjimit të Sllobodan Milosheviq janë dënuar para Tribunalit Ndërkombëtar Penal për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në Kosovë;
Të bindur se mohimi i krimeve të luftës dhe glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës paraqet pengesë serioze për zhvillimin demokratik të Serbisë dhe pajtimin në rajon;
KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SERBISË: