Karen të hënën viziton Kosovën, ja cilat tema pritet të diskutojë me liderët

23:15 | 24 Prill 2022

Të hënën pritet që Kosovën ta vizitojë një figurë e rëndësishme.

Ndihmës sekretarja për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, nesër do ta vizitojë Kosovën, gjatë një turi të saj në Ballkanin Perëndimor.

Sipas agjendës së publikuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, më 25 prill, Donfried, do të falënderojë Kosovën për strehimin për afganët dhe ukrainasit, do të inkurajojë punën në reformat për konsolidimin demokratik dhe integrimin në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe do të shqyrtojë perspektivat për përparim në dialogun e mbështetur nga SHBA, e të lehtësuar nga BE-ja, me Serbinë drejt një marrëveshjeje për marrëdhënie të normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke. Nga vizita e saj në Kosovë, më 25 prill, ajo tutje do bëjë ndalesa në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Ndryshe, shtetet e Ballkanit Perëndimor javën që shkoi i vizituan edhe tre senatorë amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thom Tilli.

Murphy në Kosovë tha se anëtarësimi i këtij shteti në NATO është më urgjent se kurrë.

“Gjatë diskutimeve tona folëm për interesat e tona të përbashkëta për të vazhduar proceset e Kosovës për t’u bashkua si NATO-s ashtu edhe BE-së. Natyrisht se më shumë kemi të bëjmë me procesin e
anëtarësimit në NATO dhe tani është më urgjente se kurrë që të sigurojmë që shtetet si Kosova që janë në perfieri të një Rusie të vënë në kënd, që këto shtete të kenë mbrojtje”, ka thënë ai.

Më tutje, senatori Murphy tha se i vjen mirë që Kosova ka pasur përparim në zhvillimin ekonomik dhe në luftimin e korrupsionit.

“Kjo është vizita ime e tretë në Prishtinë dhe më vjen kaq mirë që po dëgjojë për zhvillimin ekonomik të vazhdueshëm në Kosovë dhe që jeni të fokusuar në luftimin e korrupsionit dhe përparimin që e keni arritur. E kemi filluar vizitën tonë në kampin “Bondsteel” dhe siç e dini ShBA-të vazhdojnë që të kenë një përkushtim të madh për sigurinë në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai përmendi edhe vdekjen e sekretares amerikane të Shtetit, Madeliene Albright, e ku tha se familja er saj e çmon memorialin e ngritur në Prishtinë për ta përkujtuar rolin e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Na vjen keq dhe natyrisht jemi të pikëlluar për humbjen e sekretares së Shtetit, znj. Albright dhe që familja e saj me të vërtet e çmon memorialin që e keni ngritur këtu në Prishtinë për të përkujtuar rolin që ajo dhe SHBA-të e kanë luajtur për të ndalur gjenocidin në Kosovë”, deklaroi senatori amerikan.

Komento: