KEDS për marrëveshjen me Elektroseverin: Historike, procesi ka qenë shumë delikat dhe sfidues

22:40 | 09 Dhjetor 2023
keds-per-marreveshjen-me-elektroseverin:-historike,-procesi-ka-qene-shume-delikat-dhe-sfidues

KEDS dhe Elektrosever kanë nënshkruar kontratën për normalizimin e shpërndarjes dhe të furnizimit me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas KEDS-it kjo marrëveshje ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

Në reagimin e KEDS-it thuhet se ky është një moment historik dhe se procesi ka qenë shumë delikat dhe sfidues.

“Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022”.

“Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik. Urime të gjitha palëve të përfshira që kontribuuan në realizimin e kësaj arritjeje. Tani, KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroseverin, i cili do të jetë sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Komento: