KEK-u për akuzat e Bajramit: Kush ka informata t’i dërgojë në organet e drejtësisë

14:44 | 05 Qershor 2024
kek-u-per-akuzat-e-bajramit:-kush-ka-informata-t’i-dergoje-ne-organet-e-drejtesise

Korporata Energjetike e Kosovës ka thënë se kushdo që ka informata të bazuara për korrupsion brenda kësaj korporate, t’i dërgojë ato në organet e drejtësisë, në një përgjigje për akuzat e deputetes Hykmete Bajrami që akuzoi Qeverinë për “korrupsion serioz qeveritar” në KEK.

Në një përgjigje për KOHËN, të martën KEK-u ka thënë se nuk i komenton deklaratat politike.

“Korporata Energjetike e Kosovës KEK sh. a. ju bënë me dije se nuk i komenton deklaratat politike. Megjithatë për informimin e juaj, KEK në vazhdimësi ka inkurajuar secilin person që ka ndonjë informatë të bazuar (me dëshmi) të deponojë në organet relevante të drejtësisë”, thuhet në një përgjigje të zëdhënësit të KEK-ut, Skënder Bucolli.

Më 3 qershor, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se në KEK ka korrupsion me kontrata njëburimore.

“Sot, me 3 qershor, 2024 sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar kontratën e 16-të njëburimore/pa publikim të njoftimit për kontratë me të njëjtën kompani. Pra negocim direkt 16 herë me kompaninë e njëjtë. Derisa të premten me po të njëjtën kompani është nënshkruar kontratë në vlerë 448, 251.13 Euro, sot kontrata tjetër që u publikua nga KRPP-ja është në vlerë prej 443.638,00. Dmth. për dy muaj (qershor-korrik) shërbime të sigurimit një kompani me kontratë njëburimore merr afër 900 mijë euro”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

 

Komento: