Kënga e kukuvajkës

10:08 | 01 March 2022

Me fillimin e sulmit rus mbi shtetin e Ukrainës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka shpeshtuar atë strategji që dinë ta bëjë më së miri, shtihimin, mashtrimin dhe kuisjen e tij para mediave. Ta përdor me të madhe edhe një herë këngën e kukuvajkës. Të tregojë se si është nën një presion të hatashëm nga dy drejtime. Në njërën anë nga vendet perëndimore për t’iu bashkuar atyre, për t’i imponuar sanksione Rusisë dhe në anën tjetër nga disponimi i opinionit dhe klerit religjioz që i kundërshton kategorikisht këto politika. Asgjë e re nga fronti i politikës serbe. Mashtrim perfid.

Synimi mbetet i qartë; zhveshja nga përgjegjësia morale, politike dhe njerëzore dhe shitja në rolin e viktimës edhe atëherë kur solidarizohet me agresorin. Shfaqja si i pafajshëm edhe kur e përkrah diktaturën kundër demokracisë, si dhe shtypjen kundër lirisë.
Mirëpo, mjerisht ky manipulim i pashembullt i ka sjellë deri më tani, atij dhe vendit që drejton, jo pak përfitime. Me anë të kësaj loje të paskrupullt, ai ka arritur që të depërtojë në diplomacinë ndërkombëtare. Kurse, Serbia e ka përmirësuar tej mase imazhin e saj si shtet. Dhe nga kjo qasje duale është dëmtuar jo pak edhe Kosova.

Duhet ta themi hapur, se prej se Aleksandar Vuçiq, e ka konsoliduar pushtetin në Serbi, vendi ynë ka shënuar një degradim ndërkombëtar. Ai u shfaq para Brukselit dhe Uashingtonit si një njeri që ka vullnet për dialog me Prishtinën. Si i domosdoshëm për këtë proces. Mirëpo, jo për të nënshkruar marrëveshje që do ta përmbyllte kontestin ndërmjet dy vendeve tona, por për ta zvarritur atë në pafundësi. Për ta mbajtur Kosovën të bllokuar sa më shumë që të jetë e mundur në këtë ingranazh. Mjerisht, pala kosovare u gjend pa alternativë në këtë situatë.

Kurse, së më shumë që shtyhej ky proces, aq më shumë shtohej presioni mbi të. Si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Shto këtu edhe iluzionin e disa politikanëve tanë, të cilët të vetëdijshëm për gërryerjen e autoritet politik, krijuan shpresa të rreme, se e vetmja mundësi për ta ruajtur relevanën e tyre politike ishte gatishmëria për dialog në Bruksel. Mirëpo, ky proces pa bilanc final e rraskapiti si Kosovën si dhe e dëmtoi peshën dhe rolin e tyre.

Ndërkohë, presidenti serb, e vazhdonte spitullimin, lamentin, ankesat dhe kërkesën për mirëkuptim planetar, për shkak të presioneve që i ka, si nga Rusia ashtu edhe nga shoqëria serbe. Ekspozohej si i vetmi njeri në Serbi që mbetet i përkushtuar për paqe, por që i ka rënë fati tragjik ta drejtojë një shoqëri të pushtuar nga pasionet kolektive për luftë. Si e vetmja qenie racionale që i duhet të navigojë në një ambient irracional. Mendja tij qëndron në antinomi me zemrën e popullit të tij. Me anë të këtyre rrëfimeve duket ta ketë mallëngjyer edhe Edi Ramën. Prandaj, ky i fundit konfrontohej me çdokënd që nuk demonstronte mëshirë dhe përdëlllim për “mikun e tij Aleksandër” dhe vizonin e përbashkët për të ardhmen e raporteve shqiptaro-serbe dhe rajonit.

Sidoqoftë, kjo hipokrizi doli në sipërfaqe, më shumë se asnjëherë tjetër më parë, në këtë orë të errët të historisë evropiane. Ai u bashkua me Bjellorusinë në përkrahje të makinës vrastare të luftës të drejtuar nga Putini. Dhe përsëri kërkon të maskohet për zgjedhjen e bërë. Se nuk kishte rrugë tjetër. Tenton t’i mashtrojë diplomatët perëndimorë, se ai personalisht qëndron me perëndimin, por e ka të pamundur ta shfaq hapur opinionin e tij. Sepse, jeta e tij mund të jetë në rrezik. Mund te jetë viktimë e grupeve ekstremiste.
Madje, mund t’u mbajë ligjërata nga historia e konflikteve politike në Serbi, se si emnaku i tij, Mbreti Aleksandër dhe gruaja e tij, Princesha Draga, u ekzekutuan pasi tentuan ta shkëpusin Serbinë nga orbita ruse dhe ta integrojnë në universin perëndimor dhe atë kryesisht me lidhje specifike me Austro-Hungarinë. Apo edhe ua përkujton fatin e kobshëm të Zoran Đinđić-it. Por, jam i bindur u thotë se ju nuk e doni një gjakderdhje më shumë. Ky është fati im. Më duhet kohë deri sa ta iluminojë këtë popull të dehur nga dalldia nacionaliste.

E, këtë mision cinik, mbase e arsyeton duke e huazuar rrëfimin letrar të Radoje Domanović, Prijësi (Vođa). Vetëm se tani duke i përmbysur rrolet. Sepse në atë vepër flitet për një popull, që me një lehtësi të padurueshme e lejon vetën të drejtohet nga nja prijës i verbër, i cili në fund i shpie kolektivisht drejt humnerës. Atëherë, ata pak që mbesin, marrin guximin dhe e pyesin drejtuesin, se ku po na dërgon kështu? Ai u kthehet, po unë jam i verbër, po ju ku i patët sytë?

Ndërkaq, për dallim nga ky përfundim tragji-komik, Aleksandar Vuçiqi, tani e merr rolin e njeriut të vetmitarit që ka vizion të qartë për të ardhmen e popullit të tij. Mirëpo, mjerisht, grigja që e drejton vazhdon të jetë e zhytur në një verbëri iracionale nacionaliste. Prandaj, edhe ka të pamundur të dalë kundër prirjeve kolektive te saj. Me këtë metodë ai pretendon ta vazhdojë qasjen e tij thuajse asgjë s’ka ndodhur, apo siç thotë një fjalë angleze “business as usual”. Por, shtrohet pyetja deri kur perëndimi do ta tolerojë këtë këngë të neveritshme të kukuvajkës?

Komento: