Kim Mehmeti: UÇK-ja vlera më e madhe shqiptare, s’mund të njolloset

21:30 | 07 Dhjetor 2023
kim-mehmeti:-uck-ja-vlera-me-e-madhe-shqiptare,-s’mund-te-njolloset

Publicisti dhe shkrimtari Kim Mehmeti, ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është vlera më e madhe kombëtare dhe ajo nuk mund të njolloset.

“UÇK-ja është vlera më e madhe që tregon se ne shqiptarët luftuam për vetveten, sepse gjithmonë të tjerë na kanë përdorur, prandaj UÇK-ja është edhe simbol i kësaj që shqiptaria për herë të parë bëri diçka për vetveten. Në këtë kontekst ai shqiptar që lejon të njollosët ky simbol i krenarisë, trimërisë dhe lirisë sonë, ai me të vërtet ka probleme të mëdha me veten”, ka deklaruar Mehmeti në një intervistë për emisionin “RTK Prime”.

Duke folur për gjykimin ndaj disa prej krerëve të UÇK-së në Hagë, Mehmeti tha se ata atje janë dërguar me tendencë për dëmtuar vlerën e madhe kombëtare. “Përderisa presidenti i Serbisë shëtit nëpër Evropë, i cili publikisht kishte thënë se për vrasjen e një serbi do t’i vrasin 100 myslimanë, nëse ai qenka paqendërtues, atëherë krerët e UÇK-së që luftuan për lirinë e Kosovës nuk mund të jenë kriminel, kjo as nuk diskutohet”, deklaroi Mehmeti.

Mehmeti: Kurti bëri ndërhyrje të lejueshme me vizitën në Shkup e Tetovë

Në këtë intervistë Mehmeti ka komentuar edhe vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Shkup dhe Tetovë, duke thënë se ajo ka qenë ndërhyrje por e lejueshme.

“Qoftë për të mirë ose për të keq, vizita është ndërhyrje, posaçërisht kur shkon dhe e viziton opozitën sepse je kryeministër, tjetër është kur ishte në opozitë sepse opozita me opozitë ndihmohet. Të shkoni në vizitë ku ministri i BDI-së duhet të ua siguroi vizitën dhe të mos takoheni edhe me ata, është ndërhyrje, por e lejueshme”, deklaroi Mehmeti.

Tutje publicisti i njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka qenë mjaft kritik për deklarimet e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në raport me Kosovën, duke thënë se ai ka bërë gjëra që nuk i kanë shkuar në favor Kosovës, sidomos kohët e fundit. Ndërkaq sa i përket pozitës dhe rolit të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, ai ka thënë se shqiptarët në këtë shtet janë të “privilegjuar vetëm në burgje”.

Komento: