Kjo është renditja e Kosovës në ditën e nëntë të Lojërave Olimpike

19:15 | 01 Gusht 2021

Kosova ka rënë në pozitën e 21-të në renditjen e përgjithshme të medaljeve olimpike pas ditës së nëntë të garave në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Renditjes së përgjithshme vijon t’i prijë Kina me 51 medalje në përgjithësi, prej të cilave 24 të arta, raporton Gazeta Express.

Pas saj vijnë Shtetet e Bashkuara me 59 medalje në përgjithësi, por 20 të arta dhe në vendin e tretë renditet Japonia me 17 medalje të arta.

Kosova ka rënë në pozitën e 21-të me dy medalje të arta, por duke i lënë mbrapa shumë fuqi botërore, si dhe të gjitha shtetet fqinje.

Kosova i ka fituar dy medalje olimpike në Tokio, të dyja të arta dhe të dyja në sportin e xhudos.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë në fund javë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë. Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.

Vendit tonë i ka mbetur vetëm edhe një garues në Tokio 2020, mundësi Egzon Shala.

Shala do të përballet me mundësin bjellorus Dzianis Khramiankou në rrethin e parë në peshën e rëndë, 125 kilogramë, të enjten më 5 gusht.

Kosova i dërgoi 11 atletë në Lojërat Olimpike në Tokio, prej të cilëve gjashtë ishin me normë olimpike. Duke e parë numrin e atletëve pjesëmarrës, rezultati i Kosovës vlerësohet të jetë fantastik.

Komento: