Koeficienti i pagave shkon në 110 €, Sindikatat e pakënaqura

16:55 | 30 Janar 2024
koeficienti-i-pagave-shkon-ne-110-e,-sindikatat-e-pakenaqura

Pagat e muajit janar në të gjithë sektorin publik kanë pësuar rritje.

Nga 105 euro sa ishte deri në fund të vitit 2023, koeficienti i pagave në sektorin publik për vitin 2024 do të jetë 110 euro, raporton Front Online.

Rritjen më të madhe të pagave, do ta kenë ata që e kanë koeficient më të lartë.

Sipas ligjit, Presidentja e vendit e ka koeficientin më të madh, duke i shkuar paga nga 1890 euro në 1,980.

Me rritje do t’i marrin pagat edhe kryeministri e kryeparlamentari.

Albin Kurti e Glauk Konjufca pagat e muajit janar do t’i marrin prej 1 mijë 870 euro.

Me këtë ngritje të pagës, nuk janë të kënaqur nga sindikatat.

 

Jasharaj për koeficientin 110: Ligji është bërë për të mëdhenjtë

 

Kryetari Sindikatës, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Front Online thotë që Ligji i Pagave është bërë për të mëdhenjtë.

Ai nuk pajtohet me koeficientin e pagave prej 110 euro.

“Ligji i Pagave është bërë më të mëdhenjtë, pra që të kenë paga të larta, nuk është bërë për sektorin publik as për zjarrfikësit, as për punëtorët arsimor, as për Policinë e Kosovës, e as për administratën”, ka thënë ai.

Ngritja e koeficientit në 110, për Jasharajn nuk është rritje e pagës.

“Kjo rritje nuk mund të quhet rritje sepse nuk ju ndihmon punëtorëve të arsimit fare me kërkesat e përditshme të jetës dhe është lëvizje që nuk ndryshon asgjë tek punëtorët e arsimit, përveçse i kanë shtuar pakënaqësitë e këto kanë ndikuar edhe tek numri që kanë kërkuar pushim pa pagesë”, u shpreh ai.

 

Sindikata e Policisë për koeficientin 110: Ka pirë ujë kjo punë, edhepse nuk jemi të kënaqur

 

Njëjtë thonë edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Kryesindikalisti, Imer Zeqiri thotë se çështja e koeficientit tanimë është fuqizuar, dhe nuk mund të bëjnë asgjë, pavarësisht se janë të pakënaqur.

Zeqiri për Front Online ka thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Me koeficient prej 110 nuk ka qenë asnjë i kënaqur në sektorin publik e as ne s’kemi qenë, kemi kërkuar me qenë më i lartë për me arrit pagën minimale, por në realitet ajo është fuqizuar, është bërë ligj, tani po presim ligjin e kushtetueses se çka po ndryshon kjo në disa benefite kjo që na u kanë hjek dhe jemi në pritje. Përndryshe, figurativisht ta them se ka pirë ujë kjo punë, jemi në pritje të kërkesave, sepse për koeficient edhe ligjërisht nuk mundesh me kërku që ka hyrë në fuqi, dhe kërkon diçka që nuk mundesh me ndryshu”, ka thënë ai për Front Online.

 

Shoqata e infermierëve: Ligji i Pagave i ka ndarë infermierët, i jemi drejtuar Gjykatës

 

Nënkryetari i Shoqatës së Infermierëve të QKUK-së, Agron Kryeziu në një prononcim për Front Online ka thënë që Ligji i Pagave i ka ndarë infermierët me shkollë të mesme, e me ata me bachelor.

Madje këtë çështje, Kryeziu thotë se kanë dërgu edhe në gjykatë.

“Kur është bërë Ligji i Pagave ne e kemi bërë një protestë në QKUK dhe kemi reaguar për Ligjin e Pagave që infermierët nuk janë të kënaqur, arsyeja se në momentin me 5.6 me bachelor janë paguar të gjithë në mënyrë lineare, pas tetë muaj shkollën e mesme e kanë kthyer me 5.3 e të cilën ne e kemi dërguar në Gjykatë. Në gjykatë është lënda duke u që të paguhen të gjithë me 5.6 infermierët me shkollë të mesme dhe bachelor, bëjnë të njëjtën punë dhe ligji thotë që pagë e njëjtë, punë e njëjtë”, u shpreh ai për Front Online.

 

Zjarrfikësit: Ne kemi pagën më të ulët krahasuar me policinë, doganierët e zyrtarët korrektues

 

Zjarrfikësit janë ankuar se edhepse është ngritur koeficienti i pagave në 110 euro, ata kanë mbetur me pagën më të ulët.

Muharrem Beka në një prononcim për Front Online ka thënë se paga bazë e zjarrfikësit është  550 euro.

“Në raport me shërbimet e tjera, me policinë, korrektuesit, doganierët jemi më të ulët, kemi marr një përgjigje prej ministrisë gjoja jemi në nivel me policinë, por jo nuk jemi. Duke krahasuar me shërbimet e tjera, zjarrfikësit janë të paguar më së paku, tek shërbimet emergjente. Paga bazë e zjarrfikësit është 520 euro, tani me koeficientin 110 ngritët bëhet 550 euro”, u shpreh ai./Front Online/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komento: