Komisioni për Ekonomi shqyrton projektligjin për Energjinë, Rizvanolli: Synon të rrisë mbrojtjen e konsumatorëve

12:40 | 14 Prill 2026
komisioni-per-ekonomi-shqyrton-projektligjin-per-energjine,-rizvanolli:-synon-te-rrise-mbrojtjen-e-konsumatoreve

Komisioni për Ekonomi ka shqyrtuar në parim Projektligjin për Energjinë, i cili sipas Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, synon të rrisë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të përafrojë sektorin me standardet e Bashkimit Evropian.

Diskutimi për këtë projektligj është shoqëruar me kritika nga deputetët e opozitës për centralizim të kompetencave dhe cenim të rolit të rregullatorit.

Rizvanolli tha se projektligji i ri është më i qartë dhe më i detajuar se ai aktual, duke vendosur theks të veçantë te të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve.

“Projektligji i ri për energjinë është një ligj që është më i qartë e më i detajuar sesa ligji që e kemi aktualisht dhe që tregon saktësisht se si funksionon sektori i energjisë në Kosovë, por edhe shumë me rëndësi, çfarë të drejtash kanë qytetarët. Ndryshe nga ligji aktual, që është hartuar në përputhje me pakon e tretë të energjisë dhe vendos vetëm rregullat bazë për organizimin dhe funksionimin e sektorit, ky projektligj i ri, përveç që mbulon çështjet ekzistuese, ka në fokus kryesor të drejtat dhe mbrojtjen e konsumatorit, duke sqaruar më mirë çështje konkrete që janë me shumë interes për qytetarët dhe bizneset. Ky projektligj ka karakter kornizë dhe përcakton parimet dhe strukturën e përgjithshme të sektorit të energjisë, ndërsa rregullimi i detajuar i aktiviteteve specifike zhvillohet përmes ligjeve sektoriale dhe akteve nënligjore të miratuara nga institucionet kompetente. Pra, një nga këto ligje specifike që e përmenda është edhe ai për energjinë elektrike, të cilin do ta pranoni sot si Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ky ligj është i hartuar në përputhje me acquis të Bashkimit Evropian dhe transpozon pjesërisht Direktivën për rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike, Rregulloren për tregun e brendshëm të energjisë elektrike dhe Rregulloren BE mbi qeverisjen e Unionit të Energjisë dhe veprimit për klimën”, tha ajo.

Deputeti i VV-së, Driton Hyseni, tha se projektligji rrit përfshirjen e konsumatorëve të cenueshëm, por ngriti shqetësime për kohëzgjatjen e zbatimit dhe ndikimin financiar.

“Me ligjin e ri shohim që ka përfshirje më të madhe të konsumatorëve të cenueshëm. Kisha pasë dëshirë që kjo të mos shkojë në 9 muaj siç e parasheh ligji, por më shpejt. Të bëhet një klasifikim se sa duhet të jetë niveli i të hyrave të konsumatorëve. Sa do të jetë kostoja që do të ketë kjo?”, pyeti ai.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, kritikoi projektligjin duke e cilësuar si centralizues dhe me rrezik për konflikt interesi.

“Nga ajo që shoh në nenin gjashtë, hapur nëse nuk është shkarje teknike, s’besoj që është shkarje teknike se bilanci nuk është shkarje teknike. Pra ju keni centralizuar në mënyrë absolute çështjen e planifikimit, bilancit të energjisë në të gjithë sektorin. Që nënkupton për mua hapur konflikt interesi. Që për mua nënkupton ndërhyrje direkte në planifikim, në import, në eksport, në remonte, në mirëmbajtje.

Dhe nëse një rregullatori i jepet kaq përgjegjësi dhe vetë planifikon bilancin e energjisë, dhe vetë ia dikton KEK-ut sa me prodhua, sa me importua e sa me eksportu, edhe mirëmbajtjen, konsideroj që është i fortë konflikti i interesit, apo ndërhyrje direkte. Nuk ka ndodhë në ligjin që e kemi aktualisht në fuqi kjo. Pra këtë pikë e keni ndryshu për mendimin tim në mënyrë arbitrare në kuptimin ekonomik, jo njerëzor. Pastaj, njëjtë është edhe me KOSTT-in, njëjtë veprohet edhe me ndërmarrje të tjera shërbyese. Për ta ilustru këtë mendimin tim, që nuk bën të jetë ky ligj kështu siç është shkru nga ju, gjegjësisht ekipi juaj, mendoj që ju duhet të ktheheni te raporti konsultativ që sot e kemi publik. Dhe krahasojeni këtë ndërhyrjen në ligj, dhe raportin publik që e kemi nga zyra e rregullatorit”, tha ai.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ngriti shqetësime për rolin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Mirëpo përveç që ky ligj i jep kompetenca shtesë ministrisë edhe që e humb rolin rregullator të ZRRE-së, gjithashtu ma vonë domethënë ju si ministri mundeni me ndikua edhe në çmime, edhe në shërbim të operatorit ose furnizuesit publik. Shtrohet pyetja për çka na vyen ZRRE-ja kur ministria mundet me ndërhy gjithsesi? Tani po i bie ministria, a i raporton a nuk i raporton komisionit? Edhe tjetra çka është hala më me rëndësi, se ashtu nuk mendoj që Zyra e Rregullatorit të Energjisë është e pavarur, asht që pronat në shfrytëzim ose në posedim të ndërmarrjeve të energjisë i takon ndërmarrjeve të energjisë”, tha ajo.

Në përgjigje, ministrja Rizvanolli theksoi rëndësinë e miratimit të ligjit brenda afateve të përcaktuara.

“Projektligji për energjinë që po e trajtojmë sot, si dhe projektligji për energjinë elektrike që shpresoj që do ta trajtojmë së shpejti, së bashku me aktet nënligjore relevante, duhet të miratohen deri më 31 qershor të këtij viti, në mënyrë që të mos humbim përkrahjen financiare prej 9 milionë euro në kuadër të planit të rritjes së Bashkimit Evropian. Obligimi i shërbimit publik u përmend nga disa deputetë edhe pse në kontekste të ndryshme, qoftë pozitive qoftë negative, qoftë si u cilësua si ndërhyrje në punë të rregullatorit, që në fakt nuk është”, tha ajo.

Komento: