Kompletohet Grupi Punues për Apelin në Hagë, ja kush janë përfaqësuesit

13:26 | 19 Tetor 2026

Është kompletuar Grupin Punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para dhomave të Specializuara në Hagë.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë janë bërë publik edhe emrat e partive politike që do të jenë pjesë e këtij grupi.

Në mbledhjen e sotme Kryesia e Kuvendit ka vendosur që institucioni ligjvënës në këtë grup të përfaqësohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku.

Lëvizja Vetëvendosje në këtë grup do të përfaqësohet nga deputeti Adnan Rrustemi, PDK-ja nga deputeti Uran Ismaili, LDK-ja nga deputeti Kujtim Shala, kurse Aleanca nga deputeti Bekë Berisha.

Paraprakisht, Qeveria ka bërë me dije se kryetar i këtij grupi do të jetë zëvendëskryeministri i parë Glauk Konjufca.

Deri me tani, nuk dihet se Presidenca nga kush do të përfaqësohet në këtë grup.

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për themelimin e këtij grupi punues.

“Do t’ju njoftoj se Kryesia e Kuvendit ka caktuar nënkryetaren e Kuvendit, zonjën Vlora Çitaku, si anëtare në grupin punues për harmonizimin e strategjisë shtetërore qytetare lidhur me procedurat e afatit para Dhomave të Specializuara në Hagë. Si kryetare e Kuvendit, unë kam thirrur në vazhdimësi takime me anëtarët e tjerë, çka sapo e deleguam në këtë grup, në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të jep kontribut maksimal”, ka thënë ajo, duke shtuar se në këtë grup do të ftohen edhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Reklamë

“Natyrisht që do të ftohen edhe ekspertë të fushës që mund të japin kontributin e tyre profesional në këtë grup. Pra, si vendim e kam mirëpritur dhe vlerësoj që është rruga e duhur në përballjen tonë me këtë proces të rëndë dhe po ashtu të padrejtë”, është shprehur ajo.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e një grupi punues që do të hartojë strategjinë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Gjykatën Speciale.

Sipas dokumentit të datës 14 tetor, grupi do të drejtohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.

Vendimi parashikon bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike për mbështetjen e proceseve gjyqësore dhe dokumentimin e luftës çlirimtare të Kosovës.

“Themelohet Grupi Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë”, thuhet në dokument.

Në këtë grup parashikohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të Qeverisë, Presidencës, Kuvendit dhe partive parlamentare, përfshirë VV-në, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.

Një ndër detyrat kryesore është bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse të të akuzuarve në Hagë.

Grupi do të identifikojë nevojat për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale, duke respektuar pavarësinë e ekipeve mbrojtëse.

Po ashtu, parashikohet shqyrtimi i çështjeve që lidhen me të drejtat themelore dhe standardet e gjykimit të drejtë.

Komento: