Konjufca në Shkup zhvillon takime me liderët e opozitës shqiptare

20:03 | 17 Prill 2024
konjufca-ne-shkup-zhvillon-takime-me-lideret-e-opozites-shqiptare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka udhëtuar në Shkup duke shprehur kështu mbështetjen ndaj opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Konjufca u shoqërua gjatë vizitës së tij nga disa liderë të opozitës shqiptare, duke përfshirë kandidatin për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi.

Në një postim në Facebook, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka thënë se biseda me kryeparlamentarin Konjufca ishte plot optimizëm.

“Sot kafen e pimë me një mik të veçantë, me kryekuvendarin e Kosovës, Glauk Konjufcën, në Çarshinë bujare të Shkupit. Shëtitje e bisedë plot optimizëm, me Glaukun që frymëzon vrull, për shumë fitore të reja”, ka shkruar Mexhiti.

Ndërsa, lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, e lavdëroi Konjufcën si një politikan të denjë që përfaqëson vullnetin e popullit të tij.

“Bashkë me Arbenin, Izetin, Afrimin dhe Bekimin sot pritëm në Shkup z. Glauk Konjufca, politikanin që përfaqëson në mënyrë më të denjtë popullin e Kosovës. Është nder dhe kënaqësi që kryetari i Kuvendit të Kosovës, përcjell me përkushtim vizionin e VetVendosjes që shqiptarët, kudo që janë, të jetojnë me kokën lartë, me dinjitet dhe krenarë. Nuk ka shembull më të mirë të një politikani si Glauku, i cili veprimet politike i ka të ndërtuara sipas vullnetit dhe nevojave të popullit të tij dhe jo sipas vullnetit të oligarkëve dhe kundërshtarëve të popullit shqiptarë”, ka shkruar  Kasami.

Komento: