Konjufca: S’ka Asociacion pa njohje nga Serbia

23:42 | 08 Dhjetor 2023
konjufca:-s’ka-asociacion-pa-njohje-nga-serbia

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nëse koncepti i vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe nuk ndërtohet në një marrëveshje siç ishte ajo e Ohrit, atëherë Kosova s’ka asnjë obligim që të bëjë hapa në drejtim të Asociacionit.

Kjo, sipas Konjufcës, pasi nëse hiqet njohja e Kosovës nga ekuacioni i relacionit me Serbinë dhe mbetet vetëm Asociacionin, atëherë ky do të jetë një mekanizëm i manipulueshëm nga ana e Serbisë.

“Ne e dimë që ky asociacion do të përbëhej prej përfaqësuesve serbë, të cilët do të mund t’i kontrollonte ndonjë parti politike drejtpërdrejt nga ana e Vuçiçit dhe ata do ta ndërtonin asamblenë e këtij Asociacioni”, tha Konjufca për “Zërin e Amerikës”.

Më tej, Konjufca tha se Perëndimi nuk është serioz nga kuptimi se si ia kërkon njohjen Serbisë për Kosovën.

“Deri tani, nuk më duket që Serbia ka ndjerë ndonjë presion serioz sa i përket njohjes së Kosovë. Unë mendoj se më shumë presion është bërë mbi Kosovën për asociacionin se sa mbi Serbinë për njohjen e Kosovës, nëse i krahasoni se për cilën çështje është bërë më shumë trysni”, tha ai.

Komento: