Kosova dhe Shqipëria, nga historia e futbollit te përfaqësimi ndërkombëtar!

22:18 | 12 October 2023

Shkruan: Musli Krasniqi

Sa herë zhvillojnë ndeshje futbolli Kosova a Shqipëria, e në masë të caktuar edhe Zvicra, dhe për më tepër sa herë që ato shënojnë rezultate pozitive, emocionet shqiptare, jo vetëm brenda tifozerisë, natyrshëm manifestohen në përmasa të mëdha.

Duke pasur parasysh fuqinë emocionale që kjo disiplinë sportive bart dhe njëkohësisht shpërndanë gjithandej, viteve të fundit futbolli ka filluar të përdoret si instrument për të ndikuar edhe në zhvillime të caktuara shoqërore. Po e zëmë, lëvizja e Cristiano Ronaldos nga Evropa drejt Arabisë Saudite, i ndjekur pas nga shumë futbollistë të tjerë, me të gjitha sekuencat e mënyrës së jetesës a sjelljeve të tyre qoftë në fushën e blertë, qoftë në publik, pritet të ushtrojnë ndikim në segmente të caktuara të jetës shoqërore atje.

Shqipëria me një skuadër futbolli me jetëgjatësi gati shekullore, Kosova me një traditë disadekadëshe në futboll por me një skuadër përfaqësueseje të konsoliduar vetëm prej pak vitesh, po lënë ndjeshëm gjurmët e tyre në arenën ndërkombëtare sportive.

Në debatin e brendshëm natyrshëm zhvillohen polemika mbi organizimin dhe procesin e konsolidimit të të dyja përfaqësueseve të futbollit.

Nga këndi i analizës sportive, dhe jo vetëm, në baza ditore publikut i servohen mendime, vlerësime, konkludime lidhur me aspekte të ndryshme të rrjedhave në futbollin e Kosovës e të Shqipërisë dhe para së gjithash, mbi idenë e përfaqësimit ndërkombëtar nëpërmjet një skuadre të vetme përfaqësueseje/kombëtareje për të dyja shtetet, apo atë të përfaqësimin vetanak sikundër është duke ndodhur.

Por paraprakisht të kthehemi pak në histori.

Si lindi dhe u konsolidua futbolli në Shqipëri?

Gjurmët e futbollit shqiptar gjinden në Shkodër nga viti 1905, përderisa themelet e futbollit të konsoliduar nëpërmjet federatës dhe kombëtares u vunë tek në vitet 1930-1932, kur filloi edhe organizimi i kampionatit shqiptar të futbollit.

U deshën 16 vjet pritjeje për të zhvilluar ndeshjen e parë ndërkombëtare dhe atë pikërisht kundër Jugosllavisë, më 1946, në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Një e dhënë tjetër ndërkaq ndeshjen e parë ndërkombëtare të kombëtares shqiptare e regjistron kundër Malit të Zi më 1945.

Shqipëria qe bërë anëtare e FIFA-s në vitin 1932, ndërsa në vitin 1954 u bë një nga anëtarët themelues të UEFA-s. Përkundër ftesës, kombëtarja shqiptare nuk arriti të marrë pjesë në kampionatin botëror të vitit 1938 në Francë. Kjo periudhë e futbollit shqiptar natyrisht kishte edhe heronjtë e vet, siç ishte Riza Lushta që la gjurmë të pashlyeshme në skuadrën e Juventusit dhe Naim Kryeziu në kryeqendrën italiane, në Romë, të dy shqiptarë nga Kosova.

Izolimi komunist ushtroi ndikimin e vet edhe në jetën sportive. Kësisoj, veprimtaria futbollistike ishte e ngjeshur, por e koncentruar brenda shtetit. Ndeshjet ndërkombëtare ishin të pakta, sado që edhe në këto raste shquhej përkushtimi maksimal i lojtarëve për t’i sjell Shqipërisë rezultate sa më pozitive, deri në vendimin për ndalimin e pjesëmarrjes në kompeticione ndërkombëtare.

Pas rënies së komunizmit filloi rikonsolidimi i futbollit shqiptar tani në rrethana të reja, me një ngritje graduale në cilësi dhe performancë. Nga ndeshja e parë kundër Irlandës në Dublin më 1992, arritjen më të madhe në skenën ndërkombëtare ekipi përfaqësues shqiptar i futbollit e shënoi me kualifikimin në Kampionatin Evropian 2016.

Si lindi dhe u konsolidua futbolli në Kosovë?

Të dhëna të paargumentuara piketojnë qytetin e Vushtrrisë si lokacionin ku më 1916 u zhvillua ndeshja e parë e futbollit në Kosovë, nën organizimin e pushtetit austro-hungarez. Në rrethana të një pushtimi të egër të mbretërisë serbe, midis dy luftërave botërore kishte pak mundësi rekreative për popullin e robëruar shqiptar në Kosovë dhe viset e tjera jashtë Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërkaq u bë e mundur që skuadra nga Kosova të përfshihen në kampionatin shqiptar.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovën e mbetur nën Serbi dhe Jugosllavi filloi organizimi sportiv, lokal dhe në kuadër të federatës. Nën organizimin e Lidhjes së Futbollit të Kosovës futbolli vendor u konsolidua gradualisht dhe për disa dekada lojtarë e skuadra të Kosovës performuan suksesshëm në kampionatin jugosllav dhe në ndeshje ndërkombëtare. Kjo epokë e futbollit të Kosovës shquhet për shumë futbollistë të talentuar shqiptarë, përderisa identifikohet me legjendën Fadil Vokrri.

Masat e dhunshme të Serbisë së Milosheviqit i përjetoi në kurriz edhe sporti, përkatësisht futbolli i Kosovës, duke u dëbuar nga stadiumet. Në kuadër të ndërtimit të një jete paralele u organizua edhe futbolli nëpërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës, e themeluar më 20 gusht 1991 në Prishtinë.

Ndeshja e parë u zhvillua më 13 shtator 1991 midis Flamurtarit dhe Prishtinës.

Për rreth një dekadë futbolli i Kosovës mbijetoi duke zhvilluar veprimtarinë e tij në stadiume periferike e fusha të improvizuara. Pushteti represiv serb ushtronte dhunë të vazhdueshme mbi lojtarët, stafin e skuadrave dhe shikuesit, por rezistenca vazhdonte, duke mbajtur gjallë moralin dhe shpirtin luftarak.

Gjatë luftës shumë futbollistë hyn në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë prej tyre u kthyen në jetën sportive pas çlirimit.

Kosova e pavarur arriti aspiratën e saj më 3 maj të vitit 2016, duke u anëtarësuar në UEFA, derisa më 13 maj të njëjtit vit në FIFA.

Nga atëherë Kosova dhe ekipet e saj janë pjesë e kompetecioneve ndërkombëtare të futbollit.

Një apo dy përfaqësuese futbolli?

Të papërmbajtshëm emocionalisht përballë një Shqipërie ëndrrash që çon peshë zemrat milionëshe shqiptare anekënd globit sa herë zbret në fushë dhe një Kosove në ngritje që përpiqet të zë vendin e saj meritor në arenën ndërkombëtare, jo vetëm të futbollit, shqiptarët, veçanërisht të Kosovës, ‘goditen’ nga ndjenja të dyzuara.

Futbolli dhe sporti në përgjithësi, sikurse edhe sfera të tjera të jetës shoqërore nuk mund të shihen ndarazi rrjedhave të përgjithshme politike, të paktën jo në rrethanat aktuale në të cilin gjendet Ballkani Perëndimor. Rrjedhimisht ky debat i kahershëm do të jetë i destinuar të vazhdojë edhe për një periudhë, ngase organizimi i jetës shoqërore në Kosovë e Shqipëri, përfshirë edhe atë sportive, do të jetë i diktuar nga rrugëtimi politik që do të kenë Prishtina dhe Tirana në vitet dhe dekadat në vijim.

Ky rrugëtim pashmangshëm do të jetë i përcaktuar së pari nga rrjedhat politike që dikton konteksti ndërkombëtar dhe së dyti nga kapacitetet brendashqiptare për të ndërtuar dhe afirmuar struktura të përbashkëta kohezive shoqërore, politike e institucionale, si parakusht për rrjedha të reja historike nga të cilat potencialisht mund të derivojnë formacione të tjera shtetërore brenda etnikumit shqiptar.

Apo, ndoshta historia u ka rezervuar brezave konfiguracionin aktual të shteteve në Ballkan!

Sido që të rrjedh ky proces, t’u gëzohemi njësoj fitoreve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë!

Komento: