Si komandantë të luftës, komandantët nuk ishin as të pasur, as milionerë. Pas luftës, kur disa prej tyre u pasuruan dhe u bënë milionerë, ata s’ishin më komandantë, por politikanë dhe pushtetarë. Ishin politikanë dhe pushtetarë si kolegët e tyre që s’kishin qenë as komandantë, as kishin marrë pjesë në luftë, por, pas luftës, u pasuruan dhe u bënë milionerë, si disa ish-komandntë.
Pra, në Kosovë nuk ka komandantë milionerë, por ka politikanë, pushtetarë, zyrtarë të lartë partiakë, institucionalë e shtetërorë milionerë, pavarësisht ishin a jo në luftë.
***
Kosova e pasluftës, siç dihet, ka (ish)kryetarë të Kosovës milionerë, (ish)ministra milionerë, (ish)deputetë milionerë, (ish)zëvendëskryeministra e (ish)zëvendësministra milionerë, (ish)kryetarë komunash milionerë, (ish)zyrtarë të lartë milionerë, (ish)përkrahës dhe të përkrahur (të krerëve të lartë partiakë, institucionalë e shtetërorë) milionerë… Dhe, pothuaj, të gjithë janë të identifikueshëm, me emra dhe mbiemra, dhe të njohur për opinionin shqiptar e më gjerë.
Megjithëkëtë, në mediat tona, të shitura e të korruptuara, hasen rrallë, ose nuk hasen fare shprehjet, p. sh.: “ministra milionerë“, “deputetë milionerë“, “krerë partiakë, institucionalë e shtetërorë milionerë“, e shprehje të tjera si këto, – adekuate me gjendjen reale në shoqërinë tonë. Qarkun e gjerë të gjithë këtyre shprehjeve, mediat tona e kanë reduktuar në vetëm një shprehje, – në shprehjen famoze “komandantë milionerë“(!).
Pra, të gjithë deputetët, ministrat, zyrtarët e lartë politikë, institucionalë e shtetërorë dhe milionerë të tjerë, në Kosovën e pasluftës, pavarësisht ishin a jo në luftë, për mediat tona, të shitura e të korruptuara, janë thjesht – “komandantë milionerë“(!).
Ndër zyrtarët e lartë politikë, institucionalë dhe shtetërorë milionerë, siç dihet, ka të tillë që kanë qenë komandantë në kohën e luftës, por ka edhe shumë të tjerë, të cilët, as kanë qenë komandantë, as kanë marrë pjesë në luftë. Megjithëkëtë e përkundër këtij fakti, për mediat tona, të shitura dhe të korruptuara, edhe ata që kanë qenë komandantë, edhe ata që s’kanë qenë as në luftë, as komandantë, pra të gjithë – janë “komandantë“ milionerë(!).
Ndër komandantët e luftës, siç dihet, ka të tillë që, pas përfundimit të luftës, janë angazhuar në politikë dhe në saje të saj janë bërë milionerë, por ka edhe të tjerë që, pas përfundimit të luftës, s’janë angazhuar në politikë, as kanë qëndruar në pushtet dhe jetojnë nga puna e tyre ose janë shndërruar në raste sociale e mbijetojnë me ndihma. Megjithëkëte e përkundër këtij fakti, për mediat tona, të shitura dhe të korruptuara, edhe ish-komandantët që, pas luftës, me keqpërdorimin e politikës e të pushtetit, janë pasuruar e janë bërë milionerë, edhe ish-komandantët që, pas luftës, jetojnë me punën e tyre ose me ndihma sociale, pra të gjithë – janë komandantë “milionerë(!).
Më në fund, thënë shkurt, si komandantë të luftës, komandantët nuk ishin as të pasur, as milionerë. Pas luftës, kur disa prej tyre u pasuruan dhe u bënë milionerë, ata s’ishin më komandantë, por politikanë dhe pushtetarë. Ishin politikanë dhe pushtetarë si kolegët e tyre, që s’kishin qenë as komandantë, as kishin marrë pjesë në luftë, por, pas luftës, u pasuruan dhe u bënë milionerë, si disa ish-komandantë.
Pra, jo në saje të të qenit ish-ushtarë a ish-komandantë në luftë, por në saje të të qenit në politikë dhe në pushtet, në pozita të larta partiake, institucionale e shtetërore – (ish)kryetarë të Kosovës, (ish)kryetarë të komunave, (ish)kryeministra e (ish)zëvendëskryeministra, (ish)ministra e (ish)zëvendësministra, (ish)deputetë e (ish)zyrtarë të tjerë, pavarësisht ishin a jo në luftë, – u bënë milionerë, në Kosovën e pasluftës.
Rrjedhimisht, në Kosovë nuk ka komandantë milionerë, por ka politikanë, pushtetarë, zyrtarë të lartë partiakë, institucionalë e shtetërorë milionerë, pavarësisht ishin a jo në luftë.
Tkurrja e gjithë milionerëve të Kosovës së pasluftës – në “komandantë“ milionerë, në njërën anë dhe, nga ana tjetër, fryrja dhe shndërrimi i të gjithë komandantëve – në “milionerë“, nga mediat tona, të shitura dhe të korruptuara, – përveç që janë të gabuara, kanë edhe prapavijë qëllimkeqe e të dëmshme – komprometimin e UÇK-së, në përgjithësi.