Kosova merr Mirënjohje të Veçantë në Bienalen e Venecias

16:33 | 20 Prill 2024
kosova-merr-mirenjohje-te-vecante-ne-bienalen-e-venecias

Kosova me artisten e saj Doruntina Kastratin, fiton çmimin “Special Mention for National Presentation”, në Bienalen e Artit në Venecia.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se kjo është një arritje tejet e lartë. Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se në Bienale ku vetëm pjesëmarrja është fitore, triumfi i saj është fort i veçantë.

“Urime të gjithë ekipit, komisioneres Hana Halilaj, kuratores Erëmirë Krasniqi, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, mbi të gjitha, urime artistëve të vendit tonë! Kosova djep kulture. Edhe njëherë, si shpeshherë: gratë e Kosovës krenari kombëtare. Suksese Dori, ky do të jetë vetëm fillimi!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në një postim në rrjetin social Facebook, ka komentuar mirënjohjen dhe çmimin “Special Mention for National Presentation”, në Bienalen e Artit në Venecia.

“Sërish! Shteti ynë prek majat e suksesit botëror në art. Pavijoni i Republikës së Kosovës merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias. Kjo është hera e parë që shteti ynë merr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013”, ka shkruar Çeku.

Ai thotë se kjo është një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota.

“Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes. Përgëzime për gjithë ekipin, përgëzime për Kosovën”, shkruan Çeku.

Ndryshe, ky është përfaqësimi i gjashtë i Kosovës në këtë Bienale. Në një konkurrencë me 80 shtete, instilacioni skulpturor “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, i artistes Doruntina Kastrati me kuratore Erëmira Krasniqin.

Komento: