“Kosova ndëshkohet nëse e refuzon Asociacionin”

22:41 | 02 Nëntor 2023
“kosova-ndeshkohet-nese-e-refuzon-asociacionin”

Sonte emisioni “RTK Prime” me njohësit e rrethanave politike ka trajtuar çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mënyrës se si do të zbatohet në praktikë kjo marrëveshje dhe se si do të ketë ndikim në jetën sociale e politike të vendit.

Politologu Milazim Koci ka thënë se Kosova mund të ndëshkohet nga ndërkombëtarët, në rast se heziton pranimin e marrëshjeve që i ka si obligim.

“Nëse Kosova këmbëngul në refuzimin e përmbushjeve të obligimeve të veta ndërkombëtare, në këtë rast të marrëveshjes franko-gjermane, e në këtë rast edhe Asociacionit, mund të përsëriten episode të tilla dhe Kosova mund të ndëshkohet për shkak të padëgjueshmërisë”, ka thënë Koci.

Ish-gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka specifikuar faktin që kjo marrëveshje i ka fillet nga viti 2013, dhe si e tillë nuk mund të kundërshtohet tani.

“Kjo është një marrëveshje e nënshkruar në vitin 2013, e cila ka 39 marrëveshje brenda, njëra nga to është edhe Asociacioni. Ajo dallon nga marrëveshjet tjera sepse është ulaterale, që nënkupton duhet ta bëjmë vetëm ne. Është detyrë ndërkombëtare dhe ligjore sepse këto marrëveshje kanë kaluar edhe në Parlamentin e Kosovës, po ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkaq, profesori Bujar Dugolli ka theksuar se qëndrimet e Kurtit si kryeministër dhe si lider i Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të jenë të njëjta kur çështja ka të bëjë me faktorin ndërkombëtar.

“Faktori ndërkombëtar i pëlqej ose jo një strukture politike thotë se nëse jeni shtet ligjor, i së drejtës, kërkoni të ju pranojmë në organizata ndërkombëtare, t’u jipet statusi kandidat për BE, atëherë ju duhet të zbatoni ligjshmërinë. Kurti po të shihet si lider i Vetëvendosjes s’do të duhej as të diskutonte për këtë çështje, por ai është kryeministër i Kosovës dhe kryeministri kur Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare duhet të jetë i vetëdijshëm që nuk mund të kundërshtojë të gjithë faktorët ndërkombëtar”, ka thënë Dugolli.

Komento: