Kosova në pritje të votimit të Qeverië së re, VV kërkon zgjedhje – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kosova në pritje të votimit të Qeverië së re, VV kërkon zgjedhje

23:56 | 30 Maj 2020

Para pak ditëve, Gjykata Kushtetuese i dha dritën e gjelbër Kuvendit për të votuar Qeverinë e re.

Një anketim i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, vë në pah se shumica e qytetarëve në Kosovë janë të pakënaqur me drejtimin politik të vendit, por janë shumë të kënaqur me punën e qeverisë, kryeministrit dhe kryetares së parlamentit.

Këto të dhëna janë pjesë e anketimit me emrin Pulsi Publik i kryer nga ky program me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar me 1 mijë e 305 qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës.

Në raport thuhet se ka rritje të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e institucioneve posaçërisht të qeverisë dhe parlamentit. Kjo shkallë është më e larta e regjistruar që nga viti 2010.

Sipas raportit, “60.7 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur të kënaqur me ekzekutivin, një rritje prej 46.3 për qind nga anketa e nëntorit 2019 kur ishte 14.4 për qind. Ndërsa, niveli i kënaqshmërisë së regjistruar me punën e Kryeministrit është 65.4 për qind krahasuar me 20.7 për qind sa ishte në nëntor të vitit 2019 kurse me punën e kryetares së parlamentit ka arritur në vlerën siç thuhet rekord prej 72.4 për qind krahasuar me 20.5 për qind të regjistruar në nëntor 2019”, thuhet në raport.

Sipas raportit 33.6 për qind e qytetarëve të anketuarve do të ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike.

Anketimi i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara i cili në radhë të parë synon të pasqyrojë opinionet e qytetarëve për situatën në vend nxjerr në pah po ashtu se qytetarët i kanë radhitur papunësinë, korrupsionit dhe varfërinë si tri çështjet themelore që ndikojnë në mirëqenien e tyre.

Në raport thuhet se më shumë se 62.8 për qind e qytetarëve të anketuar janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës, një rritje prej 12.7 pikë përqindje krahasuar me gjashtë muaj më parë.

Anketimi është kryer gjatë muajit prill, kur Kosova tashmë ishte me qeveri në detyrë, pasi që me 25 mars, u miratua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeverisë së koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Të enjten Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dekretit të presidentit të vendit për mandatimin e një kryeministri të ri duke i hapur rrugën formimit të qeverisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve pakicë.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, e cila kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, e cilësoi të padrejtë dhe të papranueshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo lëvizje paralajmëroi të shtunën organizimin e një peticioni për të kërkuar zgjedhje të reja në vend, të cilat sipas deputetit të saj, Liburn Aliu janë zgjidhja e vetme për Kosovën.

“Më 25 mars politika e vjetër mbyti vullnetin politik të votuesve shprehur më 6 tetor ndërkohë më 28 maj Gjykata Kushtetuese u bë avokate e politikës së vjetër duke ndryshuar kushtetutën dhe rregullat e lojës. Kjo është e papranueshme. Vullneti qytetarë, demokracia dhe e drejta e votës dhe kushtetuta e vendit nuk mund të shkelet. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja dhe vetëm kjo është rruga për dalje nga kjo gjendje, zgjedhjet janë mënyra e vetme e marrjes së një legjitimiteti të ri, le të garojnë në zgjedhje dhe populli le të vendos se ç’lloj shteti e qeverisje dëshiron”, tha zoti Aliu.

Ai tha se lëvizja Vetëvendosje do të kundërshtojë qeverinë e re me mjete paqësore.

“Lëvizja Vetëvendosje është një lëvizje paqësore dhe veprimet tona do të jenë tërësisht paqësore dhe me mjete sa më legjitime dhe pjesë e këtyre veprimeve tona është pikërisht edhe ky peticion që po e përmendim sot. Do të jetë kundër qeverisë, mënyra se si do ta shprehim atë do të shihet në seancë, kur do të mbahet ajo. Zakonisht meqenëse kemi një legjitimitet të plotë, kemi rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, kemi edhe këto peticione të vazhdueshme, përkrahja qytetare tregon se do të jenë të panevojshme mbase çfarëdo lloj mjeti tjetër”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha të shtunën se po pret aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese para se të bëj kërkesë për seancën e votimit në parlament për qeverinë e re të udhëhequr nga mandatari i saj, Avdullah Hoti.

Kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa në një postim në rrjetin Facebook shkroi se marrja e përgjegjësive në këtë kohë të pandemisë dhe krizës së marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë nuk do të jetë e lehtë për qeverinë e ardhshme.

“Besoj fuqishëm se Gjykata Kushtetuese ia mbajti anën Kushtetutës, jo Presidentit dhe jo interesit të asnjë subjekti politik. Por interesit të popullit, të mbështetur në aktin më të lartë juridik. Në ballafaqimin me sfidat që na presin, të gjithë ne do të fitojmë nëse i tejkalojmë mosdurimet dhe dallimet, gjithnjë duke e kultivuar dhe respektuar relacionin pozitë-opozitë. Duke respektuar ndarjen e pushtetit dhe institucionet e pavarura. Duhet të arrijmë përfundimin e marrëveshjes me Serbinë për njohje reciproke, me ndërmjetësim të fuqishëm të SHBA-së dhe BE-së, anëtarësimin në OKB dhe në NATO, njohjen nga vendet e BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe ecjen drejt anëtarësimit në BE”, shkroi ai duke nënvizuar se qeveria e ardhshme duhet të përkrahet gjerësisht, e cila sipas tij nuk shpall dhe nuk krijon armiq, por që ndërton ura të brendshme dhe të jashtme bashkëpunimi.

Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit më 25 mars, kur u votua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeverisë së koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Komento: