Kosova në rrezik, Osmani, Kurti e Konjufca në udhëtime zyrtare!

17:00 | 10 Tetor 2023
kosova-ne-rrezik,-osmani,-kurti-e-konjufca-ne-udhetime-zyrtare!

Kosova është në rrezik.

Madje, sulme ndaj Kosovës si ajo e  24 shtatorit mund të përsëriten edhe në të ardhmen.

Kështu, kanë deklaruar që nga kjo datë pothuajse tre liderët e shtetit, Vjosa Osmani, Glauk Konufca e Albin Kurti.

Si shkak i këtij rreziku dhe situatës jostabile, NATO ka marrë vendim që të shtojë numrin e trupave të KFOR-it.

Tashmë 200 ushtarë britanikë vetëm kanë arritur në Kosovë.

Por, krerëve të shtetit siç duket ky rrezik iu është larguar nga mendja.

Që të tre, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti nuk gjenden në Kosovë, shkruan Front Online.

Tre udhëheqësit e shtetit me këtë rast e kanë shkelur protokollin shtetëror, duke udhëtuar njëkohësisht jashtë vendit.

Në Protokollin Shtetëror thuhet qartë se takimet duhet të bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.

Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në konferencën e Partisë Laburiste.

Presidentja Vjosa Osmani për dy ditë do të qëndrojë në Kroaci, e kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca është në Gjermani.

Ndërkaq, në bazë të Ligjit, Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit.

Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.

 

Avdija: Krerët e shtetit e shkelën Ligjin

Lidhur me këtë për Front Online, ka folur eksperti i protokollit Tomor Avdija.

Ai, ka thënë se kjo nuk është hera e parë kur Kosova mbetet pa tre krerët e saj.

Sipas tij, ky është një model i keq dhe duhet të ndalohet.

“Nuk është hera e parë që ndodhë kjo, kjo po përsëritet që nga Qeveria e parë prej vitit 2007 deri të këto të gjitha e kanë shkelë dhe jo njëherë po disa herë. Kjo normal që ndikon negativisht, por këtë e kanë rrugë secila qeveri dhe kjo është model i keq, edhe ata që e kanë bërë të parët, edhe këta që e kanë bërë tani. Kjo, duhet të ndalohet sepse rregullat duhet të zbatohen njësoj, si nga qeveria e parë ajo e vitit 2007 e deri tani që është qeveria Kurti. Janë raste të përsëritura dhe të njëjtat lënë pasoja”, ka deklaruar Avdija për Front Online.

Ai, bën thirrje që situata të tilla të mos përsëriten, sidomos në këtë kohë për shkak të situatës së ndjeshme që është në Kosovë.

“Pra, po them edhe njëherë duhet të mos përsëriten dhe të kenë kujdes sidomos tash për shkak të situatës së ndjeshme që është në vend. Ligji pra e thotë se krerët e shtetit duhet të koordinohen dhe nuk dalin të dalin që të tret njëkohësisht”, ka shtuar ndër të tjera ai.

 

Muhaxhiri: Krerët e shtetit të koordinohen, disa vizita jashtë vendit mund të shtyhen

Ndërsa, analisti politik Artan Muhaxhiri ka thënë për Front Online se kjo që kanë bërë tre krerët e shtetit është mungesë e traditës institucionale dhe kulturës politike.

“Është një gjë që as që do të duhej të diskutohej pasi është kaq e thjeshtë dhe lehtë e realizueshme. Pra, është e pakuptueshme se si nuk arrijnë t’i koordinojnë veprimet në mënyrë që njëri prej liderëve të qëndroj në Kosovë, veçanërisht në një kohë kaq të vështirë kur çdo ditë dalin informata të reja sa i përket sulmit në veriun e Kosovës, ndërsa në anën tjetër kemi vizita të cilat nuk janë urgjente dhe nuk kanë ndonjë peshë jashtëzakonisht të madhe që mund të shtyheshin për një datë tjetër pas disa ditëve”, është shprehur Muhaxhiri për Front Online.

Sipas tij, liderët e shtetit e kanë shkelur protokollin, pasi që njëri prej tyre patjetër duhet të qëndrojë në Kosovë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka udhëtuar dje për në Kroaci për një vizitë zyrtare dyditore me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Milanoviç. Osmani përveç Zagrebit, do të vizitoj edhe Karllovacin dhe Rijekën, thuhet në njoftimin e presidencës kroate.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore të Partisë Laburiste, e cila mbahet në Liverpool. Konferenca vjetore e Partisë Laburiste ka filluar këtë të diel në qytetin e Liverpoolit dhe pritet të zgjasë deri të mërkurën e 11 tetorit.

E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka udhëtuar dje drejt Gjermanisë, për të zhvilluat shtatë takime./Front Online

Komento: