Po mbushen 20 vjet nga çlirimi prej sundimit serb dhe janë bërë 11 vjet nga shpallja dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës shtet, nga më se gjysma e anëtarëve të OKB-së.
Por, me gjithë këto arritje, vazhdojnë të gjallojnë e zhurmojnë mes nesh, në grupimet shoqërore e në politikë, dy mentalitete:
– Së pari, Republika e Kosovës u krijua për t’i paraprirë dhe për të realizuar dhe njohur ndërkombëtarisht bashkimin e Kosovës me Shqipërinë;
– Së dyti, zgjidhjen e raportit kuptimor e funksional mes shtetit dhe kombit. Objektivi themelor i këtij mentaliteti është dilema “kombi e bën shtetin apo shteti e bën kombin”.
Idetë, përvoja dhe historia evropiane dhe botërore ende nuk japin një përgjigje përmbyllëse për përparësinë në raportet komb-shtet; kombi krijoi shtetin apo e kundërta. Ne shqiptarët, qysh në shekullin19-të, kemi aspiruar, jemi përpjekur e kemi luftuar, si dhe kemi bërë prezent te “Fuqitë e Mëdha” dëshirën dhe synimin për të krijuar komb dhe shtetin kombëtar.
Synimi, dëshira dhe përpjekjet e gjithanshme të shqiptarëve krijuan shtetin.
Pra, ne, të gjithë shqiptarët, që jetojmë në trojet tona etnike në Ballkan krijuam shtetin, Shqipërinë, që jo për fajin tonë, nuk përfshiu brenda kufijve politikë gjysmën e kombit dhe të territoreve shqiptare.
Ky shtet edhe pse i gjymtuar rëndë gjeografikisht e politikisht shërbeu si kolonë mbajtëse e referencë për gjithë kombin. Në emër të tij jemi prezantuar si shqiptarë në ish -Jugosllavi, por edhe ku kemi emigruar. Ekzistenca e Shqipërisë, referimi tek ajo, te simbolet shtetërore të saj (flamuri, himni), ka pasur ndikimin e vet të ndjeshëm në statuset politike e kushtetuese të Kosovës në ish -Jugosllavi.
Nga pjesë e Serbisë u bë krahinë autonome, e në mes të viteve ‘70-të u njohëm si subjekt i barasvlefshëm kushtetues me republikat e tjera. Kuptohet, kjo u arrit me sakrificat dhe luftën tonë në emër dhe nën frymëzimin kombëtar që, natyrshëm, edhe frymëzoheshin e mbështeteshin edhe nga Shqipëria.
Kombi ynë, pas luftërash dhe përfundimesh jo të drejta ndërkombëtare, sot njihet dhe mund të prezantohet kudo në Botë me emrin e vet kombëtar, nën siglën e dy shteteve. Në emër të shtetit, shqiptarët aktualisht kanë dy ulëse në Asamblenë
Parlamentare të KE-së, në UEFA dhe FIFA, në Bankën Botërore, në FMN, si dhe në bashkësinë e shteteve evropiane dhe në bashkësinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Tashmë Kosova është shtet, subjekt i bashkësisë evropiane e botërore, dhe si shtet i ri, na takon e drejta për anëtarësim në OKB, NATO dhe në BE. Të gjitha këto i bëjmë në emër të shtetit, por jo të kombit.
Fillim zgjidhjet e dy çështjeve të parashtruara janë të qarta dhe mjaftueshëm të arsyeshme. Objektivi i luftës tonë ishte shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me Republikën e Shqipërisë. Në arritje të këtij objektivi të luftës, ishim nxitës, mbështetës dhe bashkësakrifikues me aleatin tonë të madh NATO-n.
Fituam dhe si fitimtarë bashkërisht vendosëm edhe rregullat; pavarësi të garantuar për Kosovën, njohje ndërkombëtare për të, dhe strukturimi e funksionimi si shtet në raportet rajonale e ndërkombëtare. Kemi festuar 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe jemi në prag të 20-vjetorit të çlirimit nga Serbia, por ende jemi në përballje me dilemën: një shtet unifikon kombin, ndërsa dy shtete të të njëjtit komb e ndajnë atë.
Në përpjekje për t’i dhënë një zgjidhje dilemës së më sipërme mendoj se janë edhe veprimet e 5-6 viteve të fundit të qeverive në Prishtinë dhe Tiranë për organizimin e mbledhjeve të përbashkëta, për hapje kufiri, njësim doganash, marrëveshje tregtare e veprimesh në rrafshin e arsimit e kulturës.
Me çlirimin dhe pavarësinë si shtet u njohëm dhe fituam të drejtën që në mbarë botën të kemi një emër, një simbol dhe një vend përfaqësues, pa fshehur përkatësinë kombëtare. Prirja dhe përpjekjet e ndryshme për bashkim, të dy shteteve në emër të kombit është më tepër politike, shpirtërore se sa reale. Në kushtet aktuale gjeo-politike ekzistenca e dy shteteve, e dy ulëseve, e dy zërave në forumet ndërkombëtare është një përparësi e kombit tonë të përbashkët.
Ka dy shekuj që Evropa dhe më gjerë na njohin si komb. Por fqinjët tanë që krijuan shtete para nesh, janë përpjekur historikisht të na ç’bëjnë, të na përçajnë, të na asimilojnë, të na dëbojnë nga trojet tona dhe të na lënë pa atdhe. Dhe kur dështuan në këtë synim, amplifikuan idenë e “paaftësisë” së shqiptarëve për të bërë shtet. Por, krijimi dhe funksionimi i dy shteteve tona në Ballkan dëshmon të kundërtën.
Na është dhënë mundësia të demostrojmë botërisht aftësinë kombëtare për të bërë shtete dhe përmes fuqizimit e konsolidimit të tyre, të begatojmë e të prosperojmë mbarë kombin shqiptar në trojet etnike e në diasporë.