Kosova të ketë agjendë shtetërore

14:54 | 14 November 2020

Presidenti i Serbisë Vuçiq po mbijeton në skenën ndërkombëtare duke bërë lojë me shtetet ku janë qeveritarë shqiptarët. Ai është i injoruar nga të gjithë fqinjët, pos Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Atë e injoron Kroacia, Mali i Zi, Bosnja e Hecegovina, Hungaria dhe Bullgaria.

Është një sharllatan që mbijeton duke krijuar skandale me ndërhyrjet banale në Kosovë dhe duke zhvendosur agjendat e shtetit tonë në tema koti. Kështu ishte edhe me retorikën e tij demagogjike për mundësinë e “shkrirjes e konfliktit të ngrirë” në Kosovë me krahasimet koti me kontestin në Nagorno-Karabakh.

Si një president me peshë të imët ndërkombëtare, me këtë retorikë, deshi të bie në sy dhe të testonte reagimin eventual të Administratës së re amerikane të Presidentit Bajden. Ngjashëm, në fazën e parë të Tramp në Shtëpinë e Bardhë, pushteti serb pati testuar reagimin e Administratës me një problem të shpikur: trenin e famshëm me mbishkrime serbe.

Është koha e fundit që Kosova të përqëndohet në punët e veta, duke mos përfillur as Vuçiqin as Serbinë. Marrja kështu në mënyrë naive, emocionale me të, vetëm sa humbë dhe shkatërron energjitë e zhvillimit dhe të emancipimit shtetëror. Është punë koti, pra. Dhe, shprehje e ndjenjës së inferioritetit postkonlonial.

Politika dhe qeveritarët duhet të kuptojnë më në fund, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që duhet t’ia caktojë agjendën vetes. Ky është thelbi.

Komento: