Kosovarët marrin lajmin e keq: OKI nuk do shitet më në barnatore pa recetën e mjekut – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Kosovarët marrin lajmin e keq: OKI nuk do shitet më në barnatore pa recetën e mjekut

16:31 | 30 Shtator 2019

Një nga barnat më të përdorura kundër dhimbjeve, OKI (80 mg) nuk do të shitet më në asnjë farmaci pa recetë.

Vetëm Oki Task, i cili shitet në farmaci me bustina me gramaturë të përcaktuar 40 mg nuk do të jepet pa recetë.

Oki është një nga ilaçet më të konsumuara nga shqiptarët. Në fakt kjo tretësirë përdoret për të gjitha dhimbjet e durueshme ose jo që prekin konsumatorin.

Përveç faktit që kushton lirë, kjo tretësirë u bë shumë shpejt ilaçi më i kërkuar dhe i shpejtë kundër dhimbjeve më të zakonshme.

Vendimi për shitjen e OKI me recetë është marrë nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Vendimi për dhënien e OKI-t me recetë

Për t’u dhënë lexuesve një informacion sa më të saktë, AgroWeb.org u interesua pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Pas disa telefonatave pa përgjigje në numrin e telefonit që gjendet në faqen online të Agjencisë, AgroWeb.org kërkoi shpjegim dhe informacion mbi këtë çështje në adresën zyrtare elektronike të këtij institucioni.

Në mungesë të një përgjigjeje, zyrtare, gazetarët vizituan disa farmaci në kryeqytet për të mësuar më shumë.

Nga komunikimi me disa farmacistë në kryeqytet, të cilët folën në kushtet e anonimatit, u mësua se: Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka vendosur të heqë ilaçin Oki nga lista e barnave që jepen pa recetë por pas këtij vendimi nuk ka një motivacion për të cilin farmacitë janë të informuara specifikisht.

Farmacistët thanë se një nga motivet që mund të kenë çuar në këtë vendim është fakti se Oki, një ilaç kundër dhimbjeve përdoret pa kriter dhe një gjë e tillë mund të shkaktojë probleme në organizëm.

Dilema që kishin disa farmacistë gjatë komunikimit me gazetarët e AgroWeb.org është se në treg aktualisht ofrohen pa recetë ilaçe kundër dhimbjeve dhe inflamacionit, shumë herë më të forta se Oki. Këtu, ata përmendën ilaçe si Ibuprofen apo Aulina.

Çfarë duhet të dini për ilaçin oki

Oki është një barnë që rekomandohet për mbajtjen nën kontroll të artritit reumatoid, osteoartritit, dhimbjes së mesit e të shpinës, dhimbjeve të tjera dhe inflamacionit.

Oki përshkruhet si një ilaç që lehtëson dhimbjet por nuk kuron problemin në gjenezë.

Doza e rekomanduar ditore është 100-200 mg një herë në ditë në varësi të peshës dhe ashpërsisë së simptomave.

Oki bllokon prodhimin e disa substancave natyrale në organizëm që shkaktojnë inflamacion.

Përmbajtja e ilaçit mund të shkaktojë disa efekte anësore në organizëm:

Probleme me tretjen, dhimbje stomaku dhe të përziera,

Diare, konstipacion dhe gazra,

Ilaçe me përmbajtje ketoprofeni siç është Oki nuk duhen përdorur nga njerëzit që vuajnë nga azma, gratë shtatzënë ose nënat lehonë, fëmijët nën moshën 15 vjeç, njerëzit që vuajnë nga zemra, pacientët që vuajnë nga ulçera dhe veshkat.

Përveç Shqipërisë, ky ilaç shitet edhe në Itali dhe në Maltë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!