KQZ i kufizon partitë sa të shpenzojnë për fushatë në veri

22:12 | 19 Nëntor 2022

KQZ-ja i kufizon partitë sa të shpenzojnë për fushatë në veri, maksimumi është 9 mijë euro.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kufizuar shpenzimet e subjekteve politike për fushatën në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit.

Sipas KQZ-së, ky vendim përcakton kufirin e sipërm të shpenzimeve të fushatë zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohet për pjesëmarrje.

“Ky kufizim mbështetet në Rregullën Zgjedhore nr.12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar në secilën komunë. Vendimi i KQZ-së mbështetët në të dhënat jo- përfundimtare të listës së votuesve në këto komuna”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Më tej, KQZ-ja ka bërë të ditur se një parti ka të drejtë të shpenzojë deri në 9 mijë euro, e që në këtë rast është fjala për Mitrovicën e Veriut, që ka 18 mijë e 45 votues.

Për Leposaviq, një parti politike e certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhje ka të drejtë të shpenzojë deri në 6 mijë e 646 euro, pasi kjo komunë ka 13 mijë e 293 banorë.

Për Zubin Potok, tavani i lejuar për shpenzime gjatë fushatës do të jetë 3 mijë e 318 euro, meqë në këtë komunë janë 6 mijë e 636 votues.

Ndërsa, njëjtë do të jetë edhe Zveçani, ku shpenzimet maksimale të lejuara do të jenë 3 mijë e 490 euro, pasi kjo komunë numëron 6 mijë e 980 votues.

Komento: