Krasniqi e Musliu flasin për kërrcënimet: Jemi kontaktuar nga Policia, nuk frikësohemi

14:52 | 19 Janar 2023

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e deputetja e kësaj partie Ganimete Musliu janë deklaruar para mediave për kërrcënimet për atentat ndaj tyre.

Nacionale kishte raportuar dje, se në mesin e të kërrcënuarëve janë edhe kryetari Krasniqi e deputetja Musliu, krahas kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku e disa zyrtarëve të tjerë të LDK-së.

Krasniqi ka thënë se janë kontaktuar nga Policia e Kosovës, e se nuk frikësohen, pasi janë në vendin e tyre, e ju besojnë institucioneve të sigurisë.

“Jemi kontaktuar nga Policia e Kosovës lidhur me rastin që tashmë është bërë publik për deputetët e LDK-së se ka qenë i përfshirë edhe emri im dhe i deputetes Ganimete Musliu. Na kanë njoftuar për masat që janë duke i ndërmarrë për këtë çështje dhe do të jemi në komunikim, të mëtejmë. Nuk ka nevojë për t’u frikësuar. Jemi në vendin tonë. Kemi institucionet tona të sigurisë”, është shprehur lideri i PDK-së.

Në anën tjetër edhe Musliu është shprehur, se ka besim të plotë në institucionet e vendit, e se nuk frikësohet nga këto kërrcënime.

“Nuk ndjehem e frikësuar. Kam besim të plotë në organet e rendit të vendit tim. Do të jem e gatshme për bashkëpunim për çdo informacion që ata kërkojnë nga ana ime si deputete”, ka thënë deputetja.

Kujtojmë se në listën e të kërrcënuarëve janë edhe deputetët Avdullah Hoti, Arben Gashi e Armend Zemaj, emra këta të konfirmuar deri më tash.

Komento: